Rusia tërheq disa trupa nga rrethina e Kievit, ShBA thotë se është “ripozicionim”- zhvillimet kyçe të ditës 34 të luftës
Dita e 34-të e luftës Rusi-Ukrainë ka nisur me bisedimet e paqes nga delegacionet e dy vendeve të mbajtura në Stamboll. Me premtimin e Rusisë që do të ulë aktivitetin ushtarak në Ukrainë, sytë e të gjitha vendeve janë drejtuar nga ajo, duke vëzhguar lëvizjet e radhës. E pas këtij njoftimi, dy zyrtarë të lartë amerikanë thanë se Rusia veçse ka fillur tërheqjen e trupave nga kryeqyteti ukrainas, mirëpo njëri nga zyrtarët këtë lëvizje e quajti “ndryshim strategjie” e tjetri tha se kjo “nuk është tërheqje por ripozicionim”.
Më poshtë nga Gazeta Nacionale i gjeni të përmbledhura zhvillimet që kanë shënuar ditën e sotme në Ukrainë.
Sonte janë dëgjuar edhe disa shpërthime në një fshat afër qytetit rus të Belgorodit. Belgorodi ndodhet rreth 40 kilometra nga kufiri me Ukrainën. Arsyeja dhe burimi I shpërthimeve nuk dihen ende.
Pas një lëvizjeje të konfirmuar të disa forcave ruse nga rrethinat e Kievit, Shtëpia e Bardhë tha se "askush nuk duhet të mashtrohet" nga ky hap dhe u bëri thirrje njerëzve që të mbajnë "sytë hapur për atë që po ndodh në terren".
Edhe Mbretëria e Bashkuar tha se ka parë shenja "reduktimi" në bombardimet ruse rreth Kievit, duke shtuar se ky vend do të gjykojë hapat e Rusisë me veprime dhe jo me fjalë. “Ne nuk duam të shohim asgjë më pak se një tërheqje e plotë e forcave ruse nga territori ukrainas”, tha zëdhënësi i kryeministrit Johnson.
Ukraina bëri thirrje për "një mekanizëm ndërkombëtar të garancive të sigurisë" të ngjashëm me nenin 5 të NATO-s, i cili i detyron anëtarët e aleancës të mbrojnë njëri-tjetrin. Këshilltari i lartë presidencial ukrainas, Mykhailo Podolyak, tha se garancia do të përfshinte vende të tilla si ShBA, Britania e Madhe, Turqia, Franca dhe Gjermania të cilat duhet "të përfshihen ligjërisht dhe në mënyrë aktive në mbrojtjen e Ukrainës ndaj çdo agresioni".
Ministri rus i Mbrojtjes Sergei Shoigu tha se tani "qëllimi kryesor" i Moskës në Ukrainë ishte "çlirimi" i rajonit të Donbasit. Një shenjë kjo, se Moska mund të kalojë në objektiva më të kufizuara pasi u përball me rezistencën e ashpër të Ukrainës që në muajin e parë të luftës.
Një sulm ajror rus goditi një ndërtesë qeveritare në qytetin Mykolaiv, duke shkatërruar një pjesë të madhe të strukturës dhe duke lënë njerëz të bllokuar nën rrënoja. Nga sulmi u vranë të paktën shtatë persona dhe mbetën të plagosur 22 të tjerë.
Kremlini hodhi poshtë raportet se miliarderi rus Roman Abramovich pësoi simptoma të ngjashme me helmimin gjatë një raundi jozyrtar bisedimesh në fillim të këtij muaji. Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha se raportimet ishin të rreme dhe "pjesë e luftës së informacionit".
Një superjaht me vlerë 38 milionë funte në pronësi të një biznesmeni rus të paidentifikuar është ndaluar në Canary Wharf në Londër si pjesë e sanksioneve kundër Rusisë për pushtimin e saj në Ukrainë. Anija, e njohur si Phi, është subjekt i ndalimit të parë të një superjahti në ujërat e Mbretërisë së Bashkuar, tha Agjencia Kombëtare e Krimit (NCA).