Rusia lëshon raketën e dytë hipersonike e Zelensky i drejtohet Izraelit për ndihmë – zhvillimet kyçe të ditës së 25-të të luftës në Ukrainë
Ndërsa pushtimi rus në Ukrainë ka hyrë në ditën e 25-të, lufta në vend sa vjen e ndizet. Me ndërtesa të bombarduara pa pushim, njerëz të vrarë e shumë të tjerë në ikje, Rusia po vazhdon sulmet intensive në qytete të ndryshme. Në mes të kësaj situate të dhimbshme, ku Rusia ka nisur edhe përdorimin e raketave hipersonike, presidenti ukrainas Volodomyr Zelensky këtë radhë i është drejtuar Izraelit për ndihmë.
Më poshtë të përmbledhura nga Gazeta Nacionale gjeni disa nga zhvillimet kyçe të ditës së sotme të luftës në Ukrainë.
Presidenti ukrainas Volodomyr Zelensky ka kërkuar nga zyrtarët izraelitë që të ndihmojnë në mbrojten e Ukrainës, duke bërë krahasime mes ofensivës ruse dhe planit të Gjermanisë naziste për shfarosjen e hebrenjve.
Ndërkohë, këshilli i qytetit të Mariupolit ka bërë të ditur se është bombarduar nga Rusia një shkollë arti në të cilën ishin të strehuar rreth 400 civilë - përfshirë fëmijë.
Avokati për të drejtat e njeriut në Ukrainë, ka thënë se mijëra banorë të Mariupolit, janë dëbuar më forcë për në Rusi, ku më pas janë dërguar në qytete me ekonomi të rënë.
Nga këshilltari i ministrit të brendshëm të Ukrainës, u njoftua për bombardimin e një prej fabrikave më të mëdha metalurgjike të Evropës, uzina e çelikut Azovstal në Mariupol.
Ministria ruse e Mbrojtjes ka deklaruar se Rusia ka përdoruar raketa hipersonike për të dytën herë si dhe ka goditur Ukrainën me raketa lundrimi nga anijet në Detin e Zi dhe Detin Kaspik.
Zyra e OKB-së për të drejtat e njeriut, ka njoftuar për të paktën 902 civilë të vrarë dhe 1,459 të plagosur që nga mesnata. Ndërsa, nga parlamenti ukrainas u tha se 115 fëmijë ukrainas janë vrarë dhe të paktën 140 të tjerë janë plagosur.
Në fjalimin javor të së dielës, edhe Papa Françesku e ka përshkruar atë që po ndodh në Ukrainë si “çnjerëzore dhe sakrilegjike”. Ai, duke iu drejtuar dhjetëra mijëra njerëzve në sheshin e Shën Pjetrit, u bëri thirrje liderëve që të ndalojnë "këtë gjë të neveritshme".
Pavarësisht skepticizmit të qeverive lindore, ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu, ka pretenduar se një marrëveshje paqeje mes Rusisë dhe Ukrainës është "afër".
Sipas presidentit ukrainas, njëmbëdhjetë parti politike ukrainase janë pezulluar për shkak të lidhjeve të tyre me Rusinë. Ai po ashtu tha se është gati për negociata me Putinit, por nëse ato dështojnë, mund të nënkuptojë "një Luftë të Tretë Botërore”.
Nga Shtëpia e Bardhë u njoftua se ndërsa Biden do të udhëtojë në Evropë këtë javë për samite urgjente, nuk ka plane ta vizitojë Ukrainën.
Ministria ruse e Mbrojtjes ka kërkuar dorëzimin e Mariupolit, duke thënë se Ukraina ka kohë deri në orët e para të 21 marsit për të dhënë përgjigjen e saj./Nacionale/