Rusia e akuzon Ukrainën për tentativë të sulmit terrorist në aeroportin e Moskës - NACIONALE

Rusia e akuzon Ukrainën për tentativë të sulmit terrorist në aeroportin e Moskës

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova, tha të martën se Ukraina ka bërë tentativë për ta sulmuar infrastrukturën në vendin e saj, përfshirë aeroportin, duke thënë se kjo përpjekje përbën akt terrorizmi.

“Përpjekja e regjimit të Kievit për të sulmuar një zonë ku ndodhet infrastruktura civile, përfshirë aeroportin, që, meqë ra fjala, pranon edhe fluturime të huaja, është edhe një akt tjetër terrorizmi”- shkroi Zakharova në rrjetin “Telegram”.

Disa dronë e sulmuan Moskën dhe rajonin e saj, duke i penguar përkohësisht operacionet e fluturimeve në aeroportin e Vnukovo-s të martën. Kryetari i Moskës tha se sulmet janë zmbrapsur, raporton gazeta “The Guardian”.

Në anën tjetër, në Ukrainë, raportohet se një burrë dhe një grua janë vrarë nga sulmet ruse në qytetin Kherson.

Duke e cituar zyrën e prokurorit lokal, agjencia “Reuters” raporton se është shënuar edhe dëm material dhe se tash për tash është duke u konstatuar edhe numri i të lënduarve.

Ndërkohë transmetuesi shtetëror ukrainas, “Suspilne”, ka raportuar se numri i të vrarëve nga sulmi më dron të hënën në Sumy ka shkuar në tre.

Kryetari i qytetit raportoi edhe për 21 të lënduar dhe katër në spital. 4 korriku është shpallur ditë zie në Sumy.

Lajme të ngjashme