Dy të vrarë e gjashtë të lënduar nga sulmi rus në një shkollë në Donetsk
Dy civilë janë vrarë dhe gjashtë të tjerë janë lënduar, pasi një raketë e forcave ruse goditi një shkollë në distriktin Serhiivka të Donetskut, në lindje të Ukrainës, tha të shtunën Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Ukrainës.
“Si rezultat i një sulmi me raketë me vetëdrejtim të tipit “Iskander” të hedhur nga toka në një shkollë në Serhiivka, Donetsk, dy civilë u vranë dhe gjashtë të tjerë u plagosën. Shkolla u shkatërrua plotësisht”- thuhet në të dhënat e përditësuara të ushtrisë ukrainase, raporton televizioni CNN.
Bombardimi i ndërtesave të banimit nga forcat ruse në Antonivka të rajonit Kherson rezultoi në plagosjen e një familjeje me një fëmijë dhe la rreth 30 ndërtesa civile të banimit të dëmtuara, thuhet më tej në njoftim.
“Gjatë ditës së kaluar, armiku hodhi tetë raketa, kreu 58 sulme ajrore dhe shkrepi më shumë se 50 herë nga sistemet e shumëfishta raketore ndaj pozicioneve të trupave tona, objekteve ushtarake e civile në Luhansk, Donetsk, Zaporizhia dhe Kherson”- thuhet në përditësim.
