Rusia e akuzon Ukrainën për hedhje të fosforit të bardhë nga dronët, reagon Kievi - NACIONALE

Rusia e akuzon Ukrainën për hedhje të fosforit të bardhë nga dronët, reagon Kievi

1 vit më parë

nga NACIONALE

Rusia tha të mërkurën se Ukraina në mënyrë të përsëritur ka hedhur municione me fosfor të bardhë nga dronët në shtator, por Kievi mohoi se ka përdorur armë të tilla dhe tha se është Moska ajo që ka përdorur substanca të ndaluara kimike në fushën e betejës.

Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova, tha se agjencitë e sundimit të ligjit kanë dëshmi të përdorimit të municioneve të tilla nga Ukraina, por ajo nuk ofroi hollësi, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

“Agjencitë e sundimit të ligjit të vendit tonë, bashkë me Ministrinë e Mbrojtjes të Rusisë, kanë pranuar dëshmi të pakundërshtueshme të përdorimit të përsëritur të municionit me fosfor të bardhë, të hedhur nga dronët nga forcat e armatosura të Ukrainës në shtator” – tha Zakharova.

Ukraina, që e ka akuzuar Rusinë për përdorim të fosforit të bardhë në luftë, tha se deklarata e Zakharovës është e pasaktë dhe e akuzoi Rusinë për përdorim të substancave të ndaluara në fushën e betejës.

“Akuzat ruse janë të rreme dhe absurd” – tha në një deklaratë me shkrim zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Ukrainës, Heorhii Tykhyi.

“Ukraina ka qenë gjithmonë dhe vazhdon të jetë pjesëmarrëse e besueshme në regjime shumëpalëshe për mospasurim të armëve të shkatërrimit në masë dhe ajo në mënyrë besnike i respekton detyrimet ndërkombëtare që dalin nga dispozitat e tyre” – shtoi zëdhënësi ukrainas.

Lajme të ngjashme