"Rusët po përdorin termocentralin si mburojë"
Kreu i kompanisë shtetërore të energjisë bërthamore të Ukrainës, Enerhoatom, ka akuzuar ushtarët rusë se e kanë kthyer termocentralin bërthamor të Zaporizhzhia në një bazë ushtarake, duke e përdorur atë për të kryer sulme kundër pozicioneve ukrainase.
Petro Kotin thotë se kërcënimi ndaj uzinës është i madh, por vendi mbetet i sigurt.
“Ata [forcat ruse] e përdorin atë [centralin] si një mburojë kundër forcave ukrainase, sepse askush nga Ukraina nuk do të bëjë një sulm ndaj tij. Forcat e Armatosura të Ukrainës e dinë se aty ka personel ukrainas dhe kjo është një fabrikë ukrainase dhe ka njerëz ukrainas [atje] kështu që ne nuk do të vrasim njerëzit tanë, stafin tonë dhe të dëmtojmë infrastrukturën tonë”, thotë Kotin.
Ai thotë se 500 ushtarë rusë janë në kompleks dhe Rusia ka pozicionuar raketahedhës në zonën e uzinës.
Prej ditësh, Ukraina dhe Rusia kanë akuzuar njëra-tjetrën për bombardimin e vendit.
Ukraina thotë se dy punëtorë janë plagosur dhe tre sensorë të rrezatimit janë dëmtuar.
Kompleksi ka qenë nën pushtimin rus që nga fillimi i marsit, por teknikët ukrainas ende e operojnë atë. /Nacionale/