Rrëzimi i dronit amerikan, ambasadori rus arrin në Departamentin e Shtetit
Pas një incidenti mes avionëve luftarakë rusë dhe një droni amerikan, që rezultoi me rrëzimin e këtij të fundit në ujërat e Detit të Zi, ambasadori rus në ShBA, Anatoli Antonov, tashmë ka mbërritur në Departamentin e Shtetit në Uashington.
Duke cituar një zyrtar të lartë amerikan, CNN raporton se Antonov do të takohet me ndihmës sekretaren e Shtetit për Çështjet Evropiane, Karen Donfried.
Kujtojmë se më herët, zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Ned Price, tha se ambasadori rus është thirrur për “t’ia përcjellur kundërshtimet e forta” në lidhje me rrëzimin e dronit amerikan.
Veç thirrjes që i është bërë ambasadorit rus, kujtojmë se edhe ambasadorja e ShBA-së në Rusi, Lynne Tracy, "ka përcjellë një mesazh të fortë për ministrinë e Punëve të Jashtme ruse".
Deri më tani Moska ka mohuar se avionët e saj luftarakë rusë kanë pasur “kontakt” me dronin amerikan, ku në një deklaratë të dhënë nga ministria e Mbrojtjes ruse, u tha se, “droni ishte përplasur në sipërfaqen e ujit nga shpejtësia e manovrimit”.
