Situatë e rrezikshme: ShBA thërret ambasadorin rus pasi Rusia detyroi rrëzimin e dronit amerikan
Një zëdhënës amerikan ka njoftuar se Departamenti Amerikan i Shtetit e ka ftuar ambasadorin rus për të përcjellë kundërshtimet e forta në lidhje me rrëzimin e dronit amerikan Reaper mbi Detin e Zi.
Sipas CNN, Zëdhënësi Ned Price, ka thënë se “takimi i nivelit të lartë më Anatoly Antonov”, pritet të bëhet pasditën e së martës, ndërsa ka njoftuar se ambasadori rus do të "dëgjojë drejtpërdrejt nga zyrtarët e lartë për kundërshtimet e forta ndaj asaj që ishte qartësisht një përgjim i pasigurt dhe joprofesional nga ana e një avioni rus".
Ndërkohë lidhur me incidentin edhe ambasadorja e ShBA-së në Moskë, Lynne Tracy ka “përcjellë një mesazh të fortë në ministrinë e Punëve të Jashtme Ruse”.
Rusia e mohon se avionët e saj kanë rënë "në kontakt" me dronin amerikan
Në një deklaratë të dhënë, ministria ruse e Mbrojtjes ka mohuar se avioni i saj luftarak ka rënë në kontakt me ndonjë dron të Forcave Ajrore të ShBA-së.
“Një avion luftarak rus nuk përdori armë ajrore dhe nuk ra në kontakt me dronin e Forcave Ajrore të ShBA-së MQ-9 Reaper mbi Detin e Zi,”- u tha në deklaratë.
Më tej, sipas CNN, ministria ruse ka dhënë detaje nga situata, duke thënë se droni kishte shkelur kufijtë e regjimit të përkohshëm të hapësirës ajrore që janë vendosur për operacionin special ushtarak.
“Më 14 mars 2023 në mëngjes, sistemet ruse të kontrollit të hapësirës ajrore kanë zbuluar një mjet ajror pa pilot amerikan MQ-9 që fluturonte mbi Detin e Zi pranë Gadishullit të Krimesë në drejtim të kufirit shtetëror të Federatës Ruse. Droni ka fluturuar me transponderët e tij të fikur, duke shkelur kufijtë e regjimit të përkohshëm të hapësirës ajrore të vendosur për operacionin special ushtarak, të komunikuar me të gjithë përdoruesit e hapësirës ajrore ndërkombëtare dhe të publikuar në përputhje me standardet ndërkombëtare,” – është thënë më tej nga ministria ruse, ndërsa shtohet se droni ka humbur lartësinë si rezultat i manovrimit të shpejtë dhe është përplasur me sipërfaqen e ujit.
“Aeroplani rus nuk përdori armë në bord, nuk ra në kontakt me mjetin ajror pa pilot dhe u kthye i sigurt në aeroportin e tyre të shtëpisë,”- përfundon deklarata e ministrisë të Mbrojtjes ruse.
Çfarë ndodhi?
Kujtojmë se më herët gjatë ditës u raportua se një avion luftarak rus ka detyruar rrëzimin e një droni të Forcave Ajrore të ShBA-së mbi Detin e Zi, pasi i kishte dëmtuar helikën.
Sipas CNN, droni Reaper dhe dy avionë SU-27 Flanker, ishin duke operuar mbi ujërat ndërkombëtare mbi Detin e Zi, kur një nga avionët rusë kishte fluturuar qëllimisht përpara dronit pa pilot, duke i hedhur karburant para.
Më pas sipas raportimeve një nga avionët rusë kishte dëmtuar helikën e Reaper, e cila është e montuar në pjesën e pasme të dronit, duke detyruar ShBA-në të rrëzojë dronin e saj në ujërat ndërkombëtare të Detit të Zi.
Kujtojmë se që nga fillimi i luftës në Ukrainë, tensionet mes ShBA-së dhe Rusisë vetëm se janë rritur me kërcënime e provokime të herëpasherëshme nga të dyja palët, e ndërkohë që avionët rusë dhe amerikanë kanë operuar mbi Detin e Zi gjatë gjithë rrjedhës së luftës, incidenti i fundit më dron është ndërveprimi i parë i njohur që potencialisht mund të çojë në një përshkallëzim të rrezikshëm mes dy vendeve në një kohë kritike të luftimeve.

