"Përplasje në qiell": Rusia detyron rrëzimin e një droni amerikan mbi Detin e Zi
Sipas një zyrtari amerikan, një avion luftarak rus ka detyruar të martën rrëzimin e një droni të Forcave Ajrore të ShBA-së mbi Detin e Zi, pasi i kishte dëmtuar helikën.
CNN raporton se droni Reaper dhe dy avionë SU-27 Flanker, ishin duke operuar mbi ujërat ndërkombëtare mbi Detin e Zi, kur një nga avionët rusë kishte fluturuar qëllimisht përpara dronit pa pilot, duke i hedhur karburant para.
Më pas sipas raportimeve një nga avionët rusë kishte dëmtuar helikën e Reaper, e cila është e montuar në pjesën e pasme të dronit, duke detyruar ShBA-në të rrëzojë dronin e saj në ujërat ndërkombëtare të Detit të Zi.
Kujtojmë se avionët rusë dhe amerikanë kanë operuar mbi Detin e Zi gjatë gjithë rrjedhës së luftës, por ky është ndërveprimi i parë i njohur i tillë, një përshkallëzim potencialisht i rrezikshëm në një kohë kritike të luftimeve.
