Rreth 70 të vrarë për një ditë nga sulmet izraelite në Gaza, thonë zyrtarët shëndetësorë - NACIONALE

Rreth 70 të vrarë për një ditë nga sulmet izraelite në Gaza, thonë zyrtarët shëndetësorë

1 vit më parë

nga NACIONALE

Përafërsisht 70 njerëz janë vrarë nga sulmet ajrore izraelite gjatë ditës së kaluar në Gaza, sipas zyrtarëve shëndetësorë atje, përderisa fushata e përtërirë izraelite në pjesën veriore të enklavës nuk po shfaq shenja ngadalësimi, pavarësisht nga rinisja e bisedimeve të paqes pas një bllokade tremujore.

Në një rast tjetër, një person u vra, kur një kamion u përplas në një vendndalim autobusi në Ramat Hasharon, në pjesën veriore të Tel-Avivit të dielën. Policia izraelite po e trajton rastin si sulm të dyshimtë terrorist. Rreth 40 persona u lënduan në shkallë të ndryshme, disa prej tyre seriozisht, dhe u dërguan në spitale të afërta, tha policia, raporton gazeta “The Guardian”.

Grupet militante palestineze, Hamasi dhe Xhihadi Islam, e çmuan sulmin e dyshimtë, por nuk morën përgjegjësi për të.

Policia tha se vozitësi i kamionit është shtetas palestinez i Izraelit dhe se ai është “neutralizuar” nga kalimtarët e rastit që ishin të armatosur me armë zjarri.

Gjithashtu të dielën, ushtria izraelite tha se një burrë palestinez u vra, pasi ishte munduar që të therte një grup ushtarësh në qytezën e Bregut të pushtuar Perëndimor, Hizma.

Të dhënat për gjendjen në pjesën veriore të Gazës janë bërë gjithnjë më sporadike dhe të vështira për t’u vërtetuar, përderisa fushata e re sulmuese tokësore dhe ajrore e Izraelit, e përqendruar në Jabaliya, Beit Lahiya dhe Beit Hanoun, hyn në javën e katërt.

Shërbimet e internetit dhe telefonit kanë rënë për disa orë rresht dhe punëtorët e mbrojtjes civile nuk kanë pasur mundësi që të arrijnë në zonat e sulmeve të reja për shkak të rrethimit gjithnjë më të shtrënguar izraelit dhe sulmeve ndaj ekuipazheve të tyre.

Forcat izraelite u tërhoqën nga spitali “Kamal Adwan”, njëri nga vetëm tre që ende janë duke funksionuar në zonë, të dielën në mëngjes, pasi e kishte bastisur kompleksin një ditë më parë. Stafi tha se dhjetëra punëtorë shëndetësorë meshkuj dhe disa pacientë ishin ndaluar.

Numri i viktimave nga një sulm ajror izraelit në Beit Lahia të shtunën në mbrëmje shkoi në 40 të dielën, sipas agjencisë palestineze të lajmeve, “Wafa”. Një sulm tjetër ndaj shtëpive në Jabaliya të dielën në mëngjes la të vrarë 20 njerëz, ndërsa 11 të tjerë u vranë nga bombardimi i një shkolle të shndërruar në strehimore në zonën Shati të Qytetit Gaza, tha Ministria e Shëndetësisë në territorin që më parë kontrollohej nga Hamasi./Nacionale

Lajme të ngjashme