Reuters: Ukrainasit dhe rusët janë takuar në Emiratet e Bashkuara Arabe - NACIONALE

Reuters: Ukrainasit dhe rusët janë takuar në Emiratet e Bashkuara Arabe

1 vit më parë

nga NACIONALE

Disa përfaqësues të Rusisë dhe disa të Ukrainës u takuan javën e kaluar në Emiratet e Bashkuara Arabe për ta diskutuar mundësinë e shkëmbimit të të burgosurve, që do të lidhej me vazhdimin e eksportimit të amoniakut të Rusisë, që dërgohet në Azi e Afrikë, përmes një gypi ukrainas, i thanë agjencisë “Reuters” tri burime me njohuri për këtë takim.

Burimet thanë se bisedimet janë ndërmjetësuar nga Emiratet e Bashkuara Arabe dhe në to nuk janë përfshirë Kombet e Bashkuara pavarësisht nga roli qendror i OKB-së në bisedimet për eksportimin e prodhimeve bujqësore nga portet ukrainase në Detin e Zi. Amoniaku përdoret për prodhimin e plehut artificial.

Sidoqoftë, bisedimet e kanë për qëllim largimin e pengesave të mbetura për këtë nismë, që iu zgjat afati javën e kaluar, dhe për lehtësimin e mungesës globale të ushqimit duke i zhbllokuar portet ukrainase dhe ruse, shtuan burimet, duke kërkuar që të mbeteshin anonime.

Përfaqësuesit rusë dhe ukrainas udhëtuan për në Abu Dabi të enjten e 17 nëntorit. Atje diskutuan për lejimin e rifillimit të eksportimit të amoniakut rus në këmbim të shkëmbimit të të burgosurve, me të cilin do të liroheshin një numër i madh i të burgosurve ukrainas e rusë, thanë burimet.

Agjencia “Reuters” nuk ka mundur të zbulojë se çfarë përparimi është bërë në këto bisedime.

Ambasadori i Ukrainës në Turqi, Vasyl Bodnar, tha se “lirimi i të burgosurve tanë të luftës është pjesë e bisedimeve për hapjen e eksporteve ruse të amoniakut”, duke shtuar: “Natyrisht se ne kërkojmë mënyra për ta bërë këtë në secilën mundësi”. Ambasadori tha se nuk di nëse në Emiratet e Bashkuara Arabe është zhvilluar ndonjë takim.

Presidenti rus, Vladimir Putin, tha të mërkurën se zyrtarët rusë do të punojnë për zhbllokimin e plehrave artificiale ruse të bllokuara në portet evropiane dhe për rifillimin e eksportimit të amoniakut, përcjell Nacionale.

Ministria e Jashtme e Emirateve të Bashkuara Arabe, Ministria e Mbrojtjes dhe Ministria e Jashtme e Ukrainës dhe Rusia nuk u janë përgjigjur kërkesave për koment.

Kur u pyet nëse Kombet e Bashkuara kanë qenë të përfshira në këto bisedime, një zëdhënës refuzoi që të jepte koment.

Eksportimi i amoniakut rus do të bëhej përmes një gypi ekzistues në Detin e Zi. Ky gyp ishte ndërtuar për të transportuar deri në 2,5 milionë tonë gaz amoniakut në vit nga rajoni rus, Volga, për në portin ukrainas të Detit të Zi, Pivdennyi, afër Odesës, për t’u transportuar më pas te blerësit ndërkombëtarë.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka vënë publikisht disa kushte për t’ia lejuar Rusisë rifillimin e eksportimit të amoniakut përmes këtij gypi, përfshirë shkëmbimin e të burgosurve dhe rihapjen e portit të Mykolaiv-it në Detin e Zi.

Lajme të ngjashme