Nëna shpëtohet, i porsalinduri vritet nga sulmi rus në një spital në Ukrainë - NACIONALE

Nëna shpëtohet, i porsalinduri vritet nga sulmi rus në një spital në Ukrainë

1 vit më parë

nga NACIONALE

Një nënë u shpëtua të mërkurën nga rrënojat e një spitali në jug të Ukrainës, pasi objekti u shkatërrua nga një sulm rus, duke e vrarë të porsalindurin e saj, thanë zyrtarët ukrainas.

Shërbimet Shtetërore Emergjente të Ukrainës thanë se gruaja porsa e kishte lindur fëmijën në spitalin e qytetit Vilnyansk të rajonit Zaporizhia. Thuhet se është shpëtuar edhe një mjek, raporton televizioni CNN.

Autoritetet thanë se, në bazë të informatave preliminare, askush tjetër nuk ndodhet nën rrënoja.

Më herët, drejtori i administratës rajonale ushtarake në Zaporizhia tha në rrjete sociale se forcat ruse “kanë hedhur raketa të mëdha në një repart të vogël materniteti në spitalin e Vilnyansk-ut”.

Ky qytet kontrollohet nga forcat ukrainase. Sidoqoftë, disa pjesë të rajonit Zaporizhia janë të pushtuara nga Rusia, e cila e cilëson rajonin territor rus, në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, e dënoi sulmin rus të mërkurën ndaj spitalit të lindjes.

“Shteti terrorist vazhdon të luftojë kundër civilëve dhe objekteve civile”- tha ai, duke iu referuar Rusisë.

“Armiku edhe një herë ka vendosur që të mundohet ta arrijë me terror e vrasje atë që nuk mundi ta arrinte për nëntë muaj dhe që nuk do të mund ta arrijë. Në vend të kësaj, ai vetëm do të mbahet përgjegjës për të gjitha të këqijat që ia ka sjellë vendit tonë”- tha Zelensky.

Ndërkohë dy persona u vranë gjatë natës nga sulmet ruse në rajonin Kharkiv, tha një zyrtar i lartë ukrainas.

Kyrylo Tymoshenko, zëvendësshef i zyrës presidenciale të Ukrainës, tha se një ndërtesë banimi, një klinikë shëndetësore dhe një shkollë janë goditur në qytezën Kupiansk.

Infrastruktura civile e Ukrainës ka qenë cak i sulmeve ruse me raketa e artileri. Forcat pushtuese e kanë vënë në shënjestër posaçërisht rrjetin energjetik në vend, duke lënë miliona njerëz pa rrymë.

Lajme të ngjashme