“Reuters”: Trumpi po e shqyrton planin për ndaljen e luftës – ndihmat do të kushtëzoheshin me bisedime të paqes me Rusinë - NACIONALE

“Reuters”: Trumpi po e shqyrton planin për ndaljen e luftës – ndihmat do të kushtëzoheshin me bisedime të paqes me Rusinë

2 vjet më parë

nga Nasuf Abdyli

Dy këshilltarë kyçë të ish-presidentit amerikan, Donald Trump, i kanë paraqitur atij një plan për t’i dhënë fund luftës së Rusisë në Ukrainë – nëse i fiton zgjedhjet presidenciale të nëntorit – që e përfshin kushtin ndaj Kievit se do të marrë më shumë armë amerikane vetëm nëse hyn në bisedime të paqes.

Sipas këtij plani, Shtetet e Bashkuara në të njëjtën kohë do ta paralajmëronin Moskën se çfarëdo refuzimi për të negociuar do të rezultonte në shtim të mbështetjes amerikane për Ukrainën, tha në një intervistë gjenerali i pensionuar, Keith Kellogg, njëri nga këshilltarët e Trumpit për siguri kombëtare, raporton agjencia “Reuters”.

Sipas planit të hartuar nga Kellgogg-u dhe Fred Fleitz, të cilët kanë shërbyer si shefa të stafit në Këshillin e Sigurisë Kombëtare nën pushtetin e Trumpit në periudhën 2017 – 2021, do të arrihej një armëpushim sipas vijave ngadhënjyese të fushëbetejës gjatë bisedimeve të paqes.

Ata ia kanë paraqitur strategjinë Trumpit dhe ish-presidenti është përgjigjur në mënyrë të favorshme, tha Fleitz. “Nuk po pretendoj se ai është pajtuar me këtë ose që ai është pajtuar me secilën fjalë të kësaj, por ne ishim të kënaqur që e morëm përgjigjen që e morëm” – tha ai.

Megjithatë, zëdhënësi i Trumpit, Steven Cheung, tha se vetëm deklaratat e bëra nga Trumpi ose nga anëtarët e autorizuar të fushatës së tij duhet të vlerësohen zyrtare.

Strategjia e përvijuar nga Kellogg-u dhe Fleitz-i është plani më i hollësishëm deri më tani nga bashkëpunëtorët e Trumpit, i cili ka thënë se do të mund ta zgjidhte shpejt luftën në Ukrainë, nëse e mposht demokratin Joe Biden në zgjedhjet e 5 nëntorit, edhe pse nuk ka folur për çështje specifike.

Ky propozim do të shënonte një ndryshim dramatik në pozicionin e Shteteve të Bashkuara rreth luftës në Ukrainë dhe do të ballafaqohej me kundërshtim nga aleatët evropianë si dhe brenda vetë Partisë Republikane të Trumpit, thekson agjencia "Reuters", përcjell gazeta "Nacionale".

Kremlini dhe Ministria e Jashtme e Ukrainës nuk iu përgjigjën kërkesave për ta komentuar planin.

Elementet thelbësore të planit u përvijuan në një hulumtim që është publik dhe që është publikuar nga “Instituti i Politikave Amerika së Pari”, organizatë miqësore ndaj Trumpit ku Kellogg-u dhe Fleitz-i mbajnë pozita udhëheqëse.

Kellogg-u tha se do të ishte jetike që Rusia dhe Ukraina të uleshin në tavolinën e bisedimeve, nëse Trumpi i fiton zgjedhjet në ShBA.

“Ne u themi ukrainasve, “ju duhet të vini në tavolinë dhe nëse nuk vini në tavolinë, përkrahja nga Shtetet e Bashkuara do të thahet” – tha ai.

“Dhe i thoni Putinit se ai duhet të vijë në tavolinë dhe nëse nuk vjen në tavolinë, atëherë ne do t’u japim ukrainasve gjithçka që u nevojitet për t’ju vrarë në fushë” – shtoi këshilltari i Trumpit.

Sipas hulumtimit, Moska gjithashtu do të nxitej në tavolinë me premtimin se zotimi për anëtarësimin e Ukrainës në NATO do të pezullohej për një periudhë të zgjatur.

Fleitz-i tha se Ukraina nuk ka nevojë që zyrtarisht t’i dorëzojë territor Rusisë sipas planit të tyre. Megjithatë, ai shtoi se ka pak gjasa që Ukraina të marrë kontroll efektiv të tërë territorit të saj në rrafshin afatshkurtër.

“Shqetësimi ynë është që kjo është bërë luftë e gërryerjes që do të vrasë një gjeneratë të tërë të burrave të rij” – tha ai.

Kellogg-u dhe Fleitz-i thanë se një paqe e qëndrueshme në Ukrainë do të kërkonte garanci shtesë të sigurisë për Kievin. Fleitz-i shtoi se “armatosja e Ukrainës deri në dhëmbë” me gjasë do të ishte një element kyç.

“Presidenti Trump në mënyrë të përsëritur ka deklaruar se një prioritet kryesor në mandatin e tij të dytë do të jetë që të negociojë shpejt një fund për luftën Rusi – Ukrainë” – tha zëdhënësi i Trumpit, Steven Cheung.

“Lufta mes Rusisë dhe Ukrainës nuk do të kishte ndodhur kurrë, nëse Donald J. Trump do të ishte president. Shumë pikëlluese” – shtoi ai.

Zyrtarë të fushatës së Bidenit thanë se Trumpi nuk është i interesuar për t’i bërë rezistencë Putinit.

“Donald Trumpi grumbullon lëvdata për Vladimir Putinin në secilin rast që i jepet dhe ai ka bërë të qartë se nuk do të rezistojë kundër Putinit ose nuk do të qëndrojë për demokracinë” – tha zëdhënësi i fushatës së Bidenit, James Singer./Nacionale

Lajme të ngjashme