“Reuters”: ShBA-ja synon marrëveshje të paqes Rusi – Ukrainë në mars, zgjedhje të shpejta
Negociatorët amerikanë e ukrainas kanë diskutuar një synim ambicioz që Rusia e Ukraina të pajtohen për një marrëveshje të paqes muajin e ardhshëm, edhe pse ky afat ka gjasa që të mos përmbushet duke e marrë parasysh mungesën e pajtimeve për çështjen kyçe të territorit, sipas tri burimeve të afërta me temën.
Sipas kornizës që po diskutohet nga negociatorët amerikanë e ukrainas, çfarëdo marrëveshjeje do të dorëzohej për t’u vënë në referendum nga votuesit ukrainas, të cilët në të njëjtën kohë do të votonin edhe në zgjedhjet kombëtare, sipas pesë burimeve, të cilat kërkuan që të mbeteshin anonime, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Ekipi negociues i Shteteve të Bashkuara – i drejtuar nga emisari i posaçëm, Steve Witkoff, dhe dhëndri i presidentit Donald Trump, Jared Kushner – u ka thënë homologëve ukrainas në takimet e fundit në Abu-Dabi dhe Miami se do të ishte më së miri nëse këto zgjedhje mbahen së shpejti, sipas tri burimeve.
Negociatorët amerikanë kanë thënë se Trumpi ka gjasa që të përqendrohet më shumë në çështje të brendshme me afrimin e zgjedhjeve të mesit të mandatit në ShBA në nëntor, që do të thotë se zyrtarët amerikanë do të kenë më pak kohë dhe kapital politik për të harxhuar në arritjen e një pakti të paqes, thanë dy prej burimeve.
Dy prej burimeve thanë se zyrtarët amerikanë e ukrainas e kanë diskutuar mundësinë që zgjedhjet kombëtare dhe referendumi të mbahen në maj. Megjithatë, disa burime e përshkruan afatin e propozuar nga Uashingtoni si joreal.
Autoritetet e zgjedhjeve në Ukrainë kanë vlerësuar se do të nevojiteshin gjashtë muaj për të organizuar zgjedhje në kushtet e tanishme.
“Amerikanët janë duke u nxituar” – tha një burim i afërt me çështjen, duke shtuar se zgjedhjet do të mund të organizoheshin për më pak se gjashtë muaj, por prapëseprapë do të nevojitej një kohë e konsiderueshme.
Organizimi i zgjedhjeve në Ukrainë do të kërkonte ndryshime legjislative, pasi ato janë të ndaluara të mbahen gjatë kohës kur në Ukrainë është në fuqi ligji i luftës. Zgjedhjet gjithashtu do të ishin të kushtueshme.
Ukraina dëshiron armëpushim gjatë tërë fushatës zgjedhore për ta mbrojtur integritetin e referendumit dhe thotë se Kremlini ka histori të rasteve kur nuk e ka mbajtur fjalën sa u përket marrëveshjeve për ndaljen e luftimeve, tha njëri nga burimet.
“Pozicioni i Kievit është që për asgjë nuk mund të bëhet marrëveshje derisa të jepen garancitë e sigurisë për Ukrainën nga Shtetet e Bashkuara dhe partnerët” – tha burimi.
Shtëpia e Bardhë refuzoi që të komentonte. Zyra e presidentit ukrainas dhe Ambasada e Rusisë në Uashington nuk iu përgjigjën menjëherë kërkesave për koment./Nacionale