“Reuters”: Sharaa i Sirisë do të diskutojë pakt të mbrojtjes me Erdoganin në Ankara
Presidenti transitor i Sirisë, Ahmed al-Sharaa, dhe presidenti turk, Rexhep Erdogan, pritet të diskutojnë një pakt të përbashkët të mbrojtjes në Ankara të martën, përfshirë ndërtimin e bazave ajrore turke në pjesën qendrore të Sirisë dhe trajnimin e ushtrisë së re siriane, thanë katër burime me njohuri për çështjen.
Turqia, anëtare e NATO-s, për një kohë të gjatë e ka mbështetur opozitën politike dhe të armatosur siriane kundër tashmë ish-presidentit Bashar al-Assad, i cili u rrëzua nga pushteti në dhjetor përmes një ofensive të shpejtë të drejtuar nga forcat e Sharaa-s, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Burimet e agjencisë “Reuters” – një zyrtar sirian i sigurisë, dy burime të huaja të sigurisë me bazë në Damask dhe një zyrtar i lartë rajonal i inteligjencës – folën në kushte anonimiteti, pasi nuk ishin të autorizuara për të folur me media rreth këtij takimi.
Kjo është hera e parë që dalin në dritë elemente për ndonjë marrëveshje për mbrojtje strategjike nga udhëheqësit e rinj të sirisë, përfshirë hollësitë e bazave turke shtesë, thekson agjencia “Reuters”.
Sipas paktit të mundshëm, Turqia mund të ketë baza të reja ajrore në Siri, ta shfrytëzojë hapësirën ajrore siriane për qëllime ushtarake dhe të marrë një rol udhëheqës në trajnimin e trupave në ushtrinë e re siriane, thanë burimet.
Udhëheqësia e re siriane i ka shpërbërë ushtrinë dhe fraksionet e saj rebele dhe është duke punuar për t’i integruar ato në një komandë të re ushtarake.
Burimet thanë se marrëveshja nuk pritet të finalizohet të martën.
Zyrtari rajonal i inteligjencës, zyrtari sirian i sigurisë dhe njëri nga dy burimet e huaja të sigurisë me bazë në Damask thanë se në bisedimet mes Sharaa-s dhe Erdoganit do të përfshihej ndërtimi i dy bazave turke në rajonin e madh qendror shkretinor të Sirisë, i njohur si Badiyah.
Një zyrtar në presidencën siriane i tha agjencisë “Reuters” se Sharaa do të diskutojë për “trajnimin e ushtrisë së re siriane si dhe për fusha të reja të dislokimit dhe bashkëpunimit” me Erdoganin, pa i saktësuar zonat e dislokimit.
Presidenca e Turqisë dhe Ministria e Mbrojtjes e Sirisë nuk iu përgjigjën menjëherë kërkesave për koment rreth kësaj çështjeje./Nacionale