“Reuters”: Rusia duket se po përparon në qytezën kyçe ukrainase, Chasiv Yar - NACIONALE

“Reuters”: Rusia duket se po përparon në qytezën kyçe ukrainase, Chasiv Yar

2 vjet më parë

nga Nasuf Abdyli

Forcat ruse duket se po shënojnë përparim drejt qëllimit të tyre të gjatë për kapjen e qytezës strategjike ukrainase, Chasiv Yar, sipas raportimeve të së dielës nga të dyja palët e konfliktit.

Chasiv Yar shtrihet në një pjesë të ngritur, rreth 20 kilometra në perëndim të Bakhmutit, qytezë që forcat ruse e morën nën kontroll para një viti pas disa muajve me beteja që e shkatërruan pothuajse tërësisht vendbanimin. Chasiv Yar-i shihet nga të dyja palët si pikë e mundshme fillestare për Rusinë që të avancojë drejt qyteteve kyçe, Kramatorsk dhe Sloviansk, raporton agjencia “Reuters”.

Mediumi ukrainas, “Ukrainska Pravda”, citoi një burim ushtarak dhe një bloger të kenë thënë se forcat ruse kishin nisur që të pushtonin një distrikt të qytezës përgjatë një kanali.

“Gjatë javës së kaluar, kanë qenë mbi 1.500 raste të bombardimit të periferive të Chasiv Yar-it nga veriu në jug” – citohet të ketë thënë burimi ushtarak.

Burimi tha se trupat ruse po përdornin bomba ajrore me drejtim për të pastruar zona përgjatë një rruge të rëndësishme “dhe me mbështetjen e raketave të shumëfishta me rreze të gjatë dhe… dronëve ata kanë filluar që të lëvizin përpara dhe t’i grumbullojnë forcat e tyre”.

Divizioni i 98-të i Parashutistëve i ushtrisë ruse, duke shkruar në rrjetin “Telegram”, tha se forcat ukrainase “po bënin gjithçka të mundshme për t’u siguruar që njësitet tona të mos lëvizin matanë kanalit dhe të marrin pozicione në distriktin “e Ri” në anë tjetër”.

Më tej, ky divizion tha se njësitet sulmuese ruse po vazhdonin që ta pastronin distriktin e kanalit.

Në video të publikuara nga të dyja palët shihen ushtarë duke ecur nëpër zona pothuajse të shkatërruara të një qendre urbane dhe duke kontrolluar ndërtesa.

Forcat ruse kanë shënuar progres gradual në zona të frontit lindor që nga rënia e qytezës Avdivka në duart e pushtuesve në shkurt. Ato gjithashtu kanë nisur një ofensivë matanë kufirit në pjesë të rajonit verilindor, Kharkiv, edhe pse Ukraina thotë se avancimi i rusëve është ndalur.

Ukraina për një kohë të gjatë ka parashikuar një avancim të rusëve dhe komandanti i përgjithshëm i ushtrisë ukrainase, Oleksandr Syrskyi, muajin e kaluar tha se forcat e Moskës kishin shpresuar që ta merrnin nën kontroll qytezën Chasiv Yar me kohë për ceremoninë e 9 Majit, kur Rusia e shënon përvjetorin e fitores sovjetike në Luftën e Dytë Botërore.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, në video-adresimin e tij të zakonshëm të mbrëmjes të dielën nuk e përmendi qytezën Chasiv Yar, por tha se zona përreth qytezës Pokrovsk, në jugperëndim të Chasiv Yar-it, mbetej sektori më i vështirë për t’u mbrojtur.

“Kjo është zona më e vështirë përgjatë tërë vijës së frontit, ajo ku presioni nga pushtuesit është më i madhi. Përditë ai është vendi i numrit më të lartë të betejave. Vetëm dje, atje ndodhën mbi 40 sulme dhe deri në këtë orë sot [e diel], kanë ndodhur më shumë se 20” – tha Zelensky./Nacionale

Lajme të ngjashme