Reuters: Putin do të kandidojë sërish për president, mund të qëndrojë në pushtet deri në vitin 2030 - NACIONALE

Reuters: Putin do të kandidojë sërish për president, mund të qëndrojë në pushtet deri në vitin 2030

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Zgjedhjet presidenciale të Rusisë do të mbahen në muajin mars, e nga raportime të fundit njoftohet se presidenti i tanishëm rus, Vladimir Putin do të kandidojë sërish.

Agjencia e lajmeve Reuters, mbështetur në gjashtë burime ka raportuar se Vladimir Putin ka vendosur të kandidojë në zgjedhjet presidenciale të marsit, një lëvizje që do ta mbajë atë në pushtet të paktën deri në vitin 2030. Sipas burimeve, ky vendim ka ardhur pasi shefi i Kremlinit mendon se duhet ta drejtojë Rusinë në periudhën më të rrezikshme në dekada.

Kujtojmë se Vladimir Putin, të cilit i është dorëzuar presidenca nga Boris Yeltsin në ditën e fundit të vitit 1999, ka shërbyer tashmë si president për më shumë kohë se çdo sundimtar tjetër rus që nga Josef Stalin, duke mposhtur edhe mandatin 18-vjeçar të Leonid Brezhnev.

Sipas Reuters, burime kanë folur në kushte anonimiteti për shkak të ndjeshmërisë së politikës së Kremlinit, por kanë bërë të ditur se lajmet për vendimin e Putinit tashmë kanë dalë dhe se këshilltarët ishin duke u përgatitur për fushatën për zgjedhje.

“Vendimi është marrë – ai do të kandidojë,”- është shprehur një nga burimet.

Dihet se për Putinin, për të cilin sondazhet tregojnë se gëzon mbështetje prej rreth 80 për qind brenda Rusisë, zgjedhjet janë një formalitet nëse ai kandidon, pasi me mbështetjen e shtetit, medias shtetërore dhe pothuajse asnjë disidencë publike kryesore, fitoren e ka të sigurtë.

Përkundër raportimeve, deri më tani nuk ka pasur një konfirmim zyrtar të planeve të tij për të kandiduar, megjithatë në muajin shtator zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov ishte shprehur se nëse Putini vendos të kandidojë, atëherë askush nuk do të jetë në gjendje të konkurrojë me të.

Lajme të ngjashme