Reuters: Operativët pro Putinit në Gjermani po punojnë për ta kthyer Berlinin kundër Ukrainës
Disa në Gjermani po kërkojnë me ngulm ndryshim të drejtimit për Ukrainën. Figura kyçe në këtë fushatë kanë lidhje me shtetin rus ose me të djathtën ekstreme, sipas një hulumtimi të agjencisë “Reuters”.
Në pyetje është diçka e madhe: Nëse Gjermania, ekonomia më e madhe e Bashkimit Evropian, ia kthen shpinën Ukrainës, uniteti evropian për luftën do të thyhet.
Përmes intervistave e analizimit të postimeve në rrjete sociale e përmes informatave të tjera që janë publike, agjencia e njohur e lajmeve i ka përcaktuar identitetet e figurave kyçe të përfshira në shtytjen e një qëndrimi pro-rus brenda Gjermanisë që nga fillimi i luftës në Ukrainë, përfshirë dy burra që rrinin afër skenës së një proteste në shtatorin e vitit të kaluar në Këln.
Burri thatanik është ish-oficer i forcave ajrore ruse. Fillimisht i quajtur Rostislav Teslyuk, ai e ndryshoi emrin e vet dhe e bëri Max Schlund, pasi ishte vendosur në Gjermani para një dekade. Muajve të fundit, ai udhëtoi në pjesën e territorit ukrainas që kontrollohet nga Rusia. Rishtazi, një agjenci qeveritare ruse ia pagoi biletën e aeroplanit për në Moskë për të marrë pjesë në një konferencë në të cilën presidenti rus, Vladimir Putin, ishte folës kyç. Agjencia e quajtur “Rossotrudnichestvo” është nën sanksione të Bashkimit Evropian për krijimin e një rrjeti të “agjentëve të ndikimit” që i shpërndajnë narrativat e Kremlinit. Udhëheqësi i saj i ka quajtur “të çmendura” sanksionet e vendosura në korrik.
Burri tjetër afër skenës së protestës quhet Andrei Kharkovsky zotohet për aleancë me një shoqëri kozake që po e përkrah fushatën ushtarake të Moskës në Ukrainë. Schlund-i dhe Kharkovsky nuk janë përgjigjur në pyetjet e hollësishme për këtë artikull. Në një komunikim të shkurtër në “WhatsApp”, Schild-i shkroi: “Shkoni në djall!” dhe “Lavdi Rusisë!”
Agjencia “Reuters” ka zbuluar se disa nga agjitatorët më të zëshëm për ndryshimin e politikës gjermane kanë nga dy fytyra. Disa përdorin pseudonime dhe kanë lidhje të fshehta me Rusinë dhe entitete ruse që janë nën sanksione ndërkombëtare ose me organizata të së djathtës ekstreme.
Autoritetet gjermane e kanë lidhur njërin nga personat e identifikuar nga agjencia “Reuters” me ideologjinë e së djathtës ekstreme. Disa nga përkrahësit e saj u akuzuan nga policia në Gjermani për planifikimin e një komploti për ta rrëzuar qeverinë. Ai menaxhon një kanal në gjuhën gjermane në rrjete sociale të quajtur “Klubi i fansave të Putinit” dhe, si jehonë e komplotit të dyshimtë, bëri thirrje në rrjete sociale në fillimin e vitit të kaluar për mësymjen e kuvendit gjerman.
Një tjetër është zyrtar ekzekutiv në një kompani të ndërtimit në Berlin dhe dikur ishte oficer në inteligjencën ushtarake të Rusisë. Ai njihet me njërin nga tre burrat rusë që rishtazi u dënuan nga një gjykatë holandeze për dhënie të ndihmës për sigurimin e raketës me të cilën u rrëzua aeroplani i pasagjerëve nga Malajzia mbi Ukrainë në vitin 2014.
Një tjetër është entuziast i motoçikletave i cili publikon materiale në internet me pretendime për mizori të kryera nga ushtria ukrainase dhe ka grumbulluar të holla për një grup rus të motoçiklistëve që është nën sanksionet e ShBA-së dhe të BE-së për përkrahjen e luftës së Putinit.
Gjermania deri më tani ka ndarë më shumë se 1 miliard euro për ndihma humanitare për Ukrainën dhe vendet fqinje, si dhe pajisje ushtarake, përfshirë sisteme të avancuara për mbrojtje ajrore. Shumica e gjermanëve ende e përkrahin Ukrainën, por pas rritjes së madhe të kostos së energjisë, anketat tregojnë se më pak gjermanë tani të prirur për ta zgjeruar përkrahjen ushtarake ndaj Ukrainës.
Qeveria gjermane nuk u është përgjigjur pyetjeve të hollësishme për këtë artikull, por Ministria e Brendshme tha se e merr “shumë seriozisht” çfarëdo përpjekje nga shtetet ose individët e huaj për të ushtruar ndikim, sidomos “në kontekstin e luftës ruse të agresionit kundër Ukrainës”. Kremlini nuk u është përgjigjur pyetjeve të agjencisë “Rueters”.
Lidhjet mes Gjermanisë dhe Rusisë janë të vjetra me shekuj. Perandoresha Katerinë e Rusisë i kishte ftuar bashkatdhetarët e saj për të imigruar në Rusi në shekullin XVIII. Mes viteve 1992 e 2002, rreth 1,5 milion pasardhës të atyre imigrantëve ishin kthyer në Gjermani, duke i shfrytëzuar ligjet që u lejonin personave me rrënjë gjermane për ta marrë shtetësinë.
Sipas hulumtimeve qeveritare gjermane, ky komunitet e voton më shumë partinë e së djathtës ekstreme, AfD, se grupet e tjera politike. Kjo parti synon që t’i ashpërsojë kontrollet ndaj imigrantëve dhe ta kufizojë ndikimin e Islamit në Gjermani.
Përktheu: Nacionale/Nasuf Abdyli


