Gjermania hyn në fazën alarmante të planit emergjent pas pakësimit të gazit nga Rusia
Gjermania ka hyrë në fazën alarmante të planit emergjent për gazin për shkak të rënies së furnizimit nga Rusia, por ende nuk i ka lejuar kompanitë që të zbatojnë çmime të larta të energjisë ndaj konsumatorëve.
Vendimi, i cili u njoftua nga ministri i Ekonomisë, shënon ndryshim të zymtë sidomos për ekonominë më të madhe evropiane, që ka mbajtur lidhje të forta në fushën e energjisë me Rusinë që nga fundi i Luftës së Ftohtë.
Qeveria e aktivizon fazën e dytë, që ndryshe quhet edhe fazë alarmante, në planit emergjent me tri faza, kur sheh rrezik të lartë për mungesë afatgjate të furnizimit me gaz dhe, në teori, ua lejon kompanive zbatimin e çmimeve të larta ndaj industrisë dhe amviserisë në mënyrë që të ulet kërkesa.
Duke u ballafaquar me pakësim të furnizimit me gaz nga furnizuesja kryesore, Rusia, Gjermania hyri në fazën e parë të planit emergjent në fund të marsit.
Disa shtete evropiane kanë përgatitur një varg masash për t’u ballafaquar me krizën e furnizimit me gaz dhe për t’u përgatitur për dimër, kur rritja e inflacionit do të mund ta sfidonte vendosmërinë e Evropës për mbajtjen e sanksioneve ndaj Rusisë.
Bashkimi Evropian e akuzoi të mërkurën Rusinë për lëvizje mashtruese sa i përket ndaljes së gazit dhe la të kuptohet se do ta shfrytëzojë përkohësisht thëngjillin për ta plotësuar mungesën e energjisë. Rusia ka mohuar se ndalja e gazit ka qenë e paramenduar.