Scholz: Është ulur rreziku për përdorimin e armëve bërthamore nga Rusia - NACIONALE

Scholz: Është ulur rreziku për përdorimin e armëve bërthamore nga Rusia

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, në një intervistë të publikuar të enjten, ka thënë se rreziku që presidenti rus, Vladimir Putin, të përdorë armë bërthamore si pjesë e luftës së tij në Ukrainë, është ulur si rezultat i presionit ndërkombëtar.

Lufta është duke vazhduar me “brutalitet të pazvogëluar”, megjithatë, tash për tash, kancelari gjerman tha në “Funke” se një gjë ka ndryshuar. Ai dha intervistë për ta shënuar njëvjetorin e tij në krye të qeverisë gjermane.

“Rusia është ndalur së kërcënuari me përdorimin e armëve bërthamore si reagim ndaj shënimit të një vije të kuqe nga komuniteti ndërkombëtar”- tha ai.

Pavarësisht nga përçarjet e thella, është e rëndësishme që dialogu me Kremlinin të vazhdojë, shtoi kancelari gjerman.

Në anën tjetër, presidenti rus tha të mërkurën se rreziku nga lufta bërthamore është duke u rritur, por këmbënguli se Rusia “nuk është çmendur” dhe se vendi i tij e sheh arsenalin e vet bërthamor vetëm si masë parandaluese mbrojtëse.

Grupi mediatik “Funke” tha se intervista me kancelarin është zhvilluar të hënën, ndërsa citatet janë autorizuar të mërkurën pasdite.

Scholz-i tha se Putini duhet ta ndalë luftën dhe se ai do të jetë i përgatitur për të biseduar me Rusinë për kontrollin e armëve në Evropë, duke shtuar se kjo çështje kishte qenë në ofertë edhe para fillimit të luftës.

Duke e mbrojtur përkrahjen që Gjermania ia ka dhënë Ukrainës, për të cilën kritikët në Kiev dhe në vende të tjera në Evropë thonë se ka qenë shumë e rezervuar, Scholz-i tha se pas Shteteve të Bashkuara, Gjermania është njëra ndër përkrahëset më të mëdha të Ukrainës, përfshirë dhurimin e armëve.

“Ne po bëjmë gjithçka që mundemi, për të parandaluar një luftë të drejtpërdrejtë mes Rusisë dhe NATO-s. Një konflikt i tillë do të kishte vetëm humbës – në mbarë botë”- tha ai.

Kancelari gjerman tha se pret që vendi i tij t’ia dalë mirë në dimër dhe të mbetet shtet i fuqishëm e i suksesshëm industrial përderisa po e pakëson varësinë nga energjia ruse.

“Tash po i marrim vendimet e nevojshme për t’u bërë të pavarur në aspektin afatgjatë. Nga viti 2045 e tutje, ne duam që të jemi tërësisht neutralë ndaj klimës dhe ta prodhojmë energjinë tonë plotësisht pa gaz natyror, thëngjill ose naftë”- tha i pari i qeverisë gjermane.

Kur u pyet nëse do të garojë përsëri për pozitën e kancelarit në zgjedhjet e ardhshme, Scholz-i u përgjigj: “Natyrisht.”/Nacionale

Lajme të ngjashme