Presidenti polak kritikon ashpër Macronin e Scholzin: Bisedat me Putinin, si të flasësh me Hitlerin - NACIONALE

Presidenti polak kritikon ashpër Macronin e Scholzin: Bisedat me Putinin, si të flasësh me Hitlerin

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Presidenti i Polonisë, Andrzej Duda, i ka kritikuar ashpër udhëheqësit e Gjermanisë dhe Francës për bisedat e tyre telefonike me presidentin rus, Vladimir Putin, duke thënë se ato janë si të flasësh me Adolf Hitlerin gjatë Luftës së Dytë Botërore, raportoi gazeta “Bild”.

Kancelari gjerman, Olaf Scholz, dhe presidenti francez, Emmanuel Macron, kanë zhvilluar biseda telefonike me Putinin që nga fillimi i luftës në Ukrainë. Presidenti francez e ka zemëruar Ukrainën duke thënë se Rusia nuk duhet të poshtërohet në mënyrë që të ruhen gjasat për zgjidhje diplomatike.

Presidenti polak, në një intervistë për gazetën gjermane, të publikuar të mërkurën vonë në kanalin e saj në “YouTube”, tha se diskutime të tilla vetëm e legjitimojnë luftën e paligjshme në Ukrainë.

“A ka folur ndokush kështu me Adolf Hitlerin gjatë Luftës së Dytë Botërore? A ka thënë ndokush se Adolf Hitlerit duhet t’i shpëtohet fytyra? Që duhet të vazhdojmë në atë mënyrë që nuk është poshtëruese për Adolf Hitlerin? Nuk kam dëgjuar zëra të këtillë”, tha Duda.

Në një bisedë të përbashkët telefonike më 28 maj, Macroni dhe Scholzi i bënë thirrje Putinit që t’i lirojë 2.500 ushtarët ukrainas të kapur në fabrikën “Azovstal” në Mariupol dhe të bisedojë drejtpërdrejt me homologun ukrainas, Volodymyr Zelensky, sipas presidencës franceze.

Italia dhe Hungaria i kanë bërë thirrje Bashkimit Evropian që të bëjë qartazi thirrje për armëpushim në Ukrainë dhe për bisedime të paqes me Rusinë, duke dalë kundër vendeve të tjera të BE-së si Polonia, e cila është e vendosur për qëndrim më të ashpër ndaj Moskës.

Muajin e kaluar, presidenti ukrainas i kritikoi ashpër sugjerimet e disave në Perëndim që vendi i tij të japë territor dhe të bëjë koncesione për t’i dhënë fund luftës./Nacionale

Lajme të ngjashme