“Reuters”: Italia s’lejoi aeroplanë amerikanë në “Sigonella” për operacione në Lindje të Mesme
Italia javën e kaluar ua mohoi lejen aeroplanëve ushtarakë amerikanë që të aterronin në bazën ajrore “Sigonella” në Sicili para se të niseshin drejt Lindjes së Mesme, i thanë disa burime të martën agjencisë së lajmeve “Reuters”, për shkak se Uashingtoni nuk kishte kërkuar autorizim paraprak nga Qeveria në Romë.
Sipas gazetës “Corriere della Sera”, e cila e para raportoi për këtë zhvillim, “disa bombardues amerikanë” pritej të aterronin në bazën që ndodhet në lindje të Sicilisë para se të fluturonin drejt Lindjes së Mesme, ku Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli po luftojnë kundër Iranit.
Në raport nuk saktësohet se kur pritej të aterronin aeroplanët, por thuhet se leja u refuzua, sepse Shtetet e Bashkuara nuk e kishin kërkuar dritën e gjelbër dhe udhëheqja ushtarake e Italisë nuk ishte konsultuar, siç kërkohet me traktatet me të cilat qeveriset përdorimi i qendrave ushtarake amerikane në shtetin evropian.
Burimi, i cili nuk ishte i autorizuar që të fliste me media dhe refuzoi që të identifikohej, e konfirmoi për agjencinë “Reuters” raportin e gazetës italiane, por nuk saktësoi se për sa aeroplanë bëhej fjalë. Një burim tjetër i tha “Reuters”-it se Italia e refuzoi lejen për aeroplanët amerikanë më 27 mars.
“Në lidhje me raportimet e mediave sa i përket përdorimit të bazave ushtarake, Qeveria rithekson se Italia vepron në pajtim të plotë me marrëveshjet ndërkombëtare ekzistuese dhe me udhëzimet e politikave që janë vendosur nga Qeveria për Kuvendin” – thuhet në një deklaratë të Qeverisë së Italisë.
Aty thuhet se të gjitha kërkesat për shfrytëzimin e objekteve “ekzaminohen me kujdes, mbi bazën rast më rast” dhe se “nuk ka probleme apo mosmarrëveshje kritike me partnerët ndërkombëtarë”.
“Marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara, në veçanti, janë të forta dhe të mbështetura mbi bashkëpunimin e plotë dhe besnik” – thuhet më tej në deklaratë.
Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Romë nuk komentoi menjëherë.
Ky vendim vjen në kohën e tensioneve mes Uashingtonit dhe disa prej aleatëve evropianë për luftën në Iran.
Të hënën, Spanja tha se e kishte mbyllur hapësirën e saj ajrore për aeroplanët amerikanë që janë të përfshirë në sulmet ndaj Iranit, hap përtej refuzimit të saj të mëparshëm për ta lejuar përdorimin e bazave ushtarake që operohen në mënyrë të përbashkët. Kryeministri spanjoll, Pedro Sanchez, ka qenë në mesin e kritikuesve më të zëshëm të sulmeve amerikane e izraelite./Nacionale