“Reuters”: Forcat ruse kanë bërë një depërtim të befasishëm në lindje të Ukrainës
Forcat ruse kanë bërë një shtytje të befasishme në pjesën lindore të Ukrainës, në lindje të qytezës Dobropillia, në një lëvizje për të cilën blogerët ushtarakë ukrainas e rus thonë se mund të bëhet problem serioz për Kievin, nëse nuk kontrollohet.
Në hartën e blogut ukrainas me autoritet, “DeepState”, të martën shihej se forcat ruse kishin avancuar shpejt drejt veriut në dy degëzime që mbulojnë deri në 10 kilometra, pjesë e synimit të tyre për ta marrë nën kontroll të plotë rajonin e Donetskut, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Blogu “DeepState” tha se forcat ruse kishin avancuar afër tri fshatrave në një segment të frontit që lidhet me dy qytetet ukrainase, Pokrovsk dhe Kostyantynivka.
Depërtimi rus vjen disa ditë para samitit të Alaskës të premten mes presidentëve të ShBA-së e Rusisë, Donald Trump e Vladimir Putin. Dy udhëheqësit pritet të diskutojnë një marrëveshje të mundshme për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.
“Tatarigami_UA”, ish-oficer ushtarak ukrainas, në analizat e të cilit përcillet për së afërmi konflikti, tha se lëvizja e rusëve ka potencial që të përshkallëzohet në mënyrë të rrezikshme, nëse nuk shtypet.
“Kjo është kritike. Më 2014 dhe 2015, Rusia nisi ofensiva të rëndësishme para bisedimeve për të fituar leva. Situata e tanishme është serioze, por larg kolapsit, siç sugjerojnë disa” – shkroi në rrjetin X Tatarigami.
Ndërkohë, forcat ukrainase kanë rimarrë nën kontroll dy fshatra në rajonin Sumy, tha më herët ushtria ukrainase.
Në raportin e së martës mbrëma, Shtabi i Përgjithshëm tha se forcat ukrainase i kanë çliruar vendbanimet Stepne dhe Novokostiantynivka. “Është rreptë, por po e sprapsim armikun” – tha komandanti i ushtrisë ukrainase, Oleksandr Syrskyi.
“Në drejtimin e Sumyt, jemi duke kryer operacione aktive dhe kemi ca sukses në avancimin përpara, duke çliruar tokë ukrainase” – shtoi ai.
Njoftimi për çlirimin e dy fshatrave të hënën erdhi pas lajmit se ushtria ukrainase e kishte rimarrë fshatin Bezsalivka të dielën.
Agjencia “Reuters” nuk ka mundur t’i vërtetojë në mënyrë të pavarur avancimet e trupave ukrainase në rajonin Sumy./Nacionale