"Reuters": Arabia Saudite i ka ngrirë planet për normalizim me Izraelin, po angazhohet me Iranin - NACIONALE

"Reuters": Arabia Saudite i ka ngrirë planet për normalizim me Izraelin, po angazhohet me Iranin

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Arabia Saudite do t’i ngrijë planet e mbështetura nga Shtetet e Bashkuara për normalizim të marrëdhënieve me Iranin, i kanë thënë agjencisë “Reuters” dy burime të afërta me qëndrimet e Riadit, duke sinjalizuar rimendim të shpejtë të prioriteteve të politikës së jashtme, përderisa lufta mes Izraelit dhe Hamasit eskalon.

Ky konflikt e ka shtyrë mbretërinë edhe të angazhohet me Iranin. Princi i Arabisë Saudit, Mohammed bin Salman, e ka pranuar telefonatën e parë nga presidenti iranian, Ebrahim Raisi, kur Riadi po mundohet që ta parandalojë zgjerimin e dhunës në rajon, raporton agjencia “Reuters”.

Dy burimet i thanë agjencisë se do të ketë shtyrje të bisedimeve të mbështetura nga ShBA-ja për normalizim të marrëdhënieve me Izraelin, që ishin hap kyç që Arabia Saudite të siguronte një pakt të mbrojtjes me Shtetet e Bashkuara si këmbim.

Deri para shpërthimit të luftës më 7 tetor mes Hamasit e Izraelit, udhëheqës izraelitë e sauditë kishin deklaruar se ishin duke lëvizur në mënyrë të qëndrueshme drejt një marrëveshjeje që do të mund ta riformësonte Lindjen e Mesme.

Njëri burim, i afërt me qëndrimet e Riadit, tha se bisedimet nuk mund të vazhdojnë tash për tash dhe se çështja e koncesioneve të Izraelit për palestinezët duhet të jetë prioritet më i madh, kur diskutimet të rifillojnë.

Rimendimi i pozicionit nga Arabia Saudite i vë në pah sfidat me të cilat përballen përpjekjet e Uashingtonit për ta thelluar integrimin e Izraelit në një rajon ku kauza palestineze mbetet shqetësim i rëndësishëm i botës arabe.

“Normalizimi tashmë konsiderohej tabu (në botën arabe)... kjo luftë vetëm e zmadhon atë”- tha analisti saudit, Aziz Alghashian.

Këshilltari për Siguri Kombëtare i ShBA-së, Jake Sullivan, tha në një konferencë në Shtëpinë e Bardhë këtë javë se përpjekjet e normalizimit nuk ishin pezulluar, por shtoi se fokusi është në sfida të tjera të menjëhershme.

Lajme të ngjashme