Netanyahu i thotë Bidenit se palestinezët mund të jenë pjesë e marrëveshjes me Arabinë Saudite
Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, i tha të mërkurën presidentit të Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, se zyrtarët palestinezë duhet të jenë pjesë e procesit të arritjes së një marrëveshjeje të gjerë, që e përfshin normalizimin e marrëdhënieve mes Arabisë Saudite dhe Izraelit, por se ata nuk duhet ta kenë fuqinë e vetos si pjesë e saj, sipas një zyrtari të lartë izraelit.
Administrata e presidentit Biden ka theksuar para Qeverisë së Izraelit se ajo do të duhet të bëjë koncesione të konsiderueshme për palestinezët si pjesë e ndonjë marrëveshjeje të mundshme me Arabinë Saudite, raporton faqja amerikane e lajmeve, “Axios”.
Megjithatë, arritja e ndonjë koncesioni domethënës mund të jetë e vështirë, sepse Netanyahu ballafaqohet me kundërshtimin e partive të së djathtës ekstreme në koalicionin e tij qeveritar.
Autoriteti Palestinez ka paraqitur një varg pikash që do të donte t’i shihte si pjesë e ndonjë marrëveshjeje, përfshirë marrjen e kontrollit më të gjerë në disa pjesë të Bregut të pushtuar Perëndimor, anëtarësinë e plotë në OKB dhe rihapjen e Konsullatës së ShBA-së në Jerusalem.
Gjatë takimit të tyre të parë që nga riardhja e Netanyahut në pushtet, Bideni e ripërmendi nevojën për të pasur një pjesë përbërëse për palestinezët si pjesë të ndonjë marrëveshjeje të madhe.
Netanyahu tha se pajtohet që zyrtarët palestinezë duhet të jenë pjesë e procesit, por se ata nuk mund ta kenë fuqinë e vetos për pjesë të caktuara të marrëveshjes që nuk u pëlqejnë, tha zyrtari izraelit.
Princi i Arabisë Saudite, Mohammed bin Salman, tha në një intervistë për televizionin “Fox News”, se çdo ditë që kalon, e afron më shumë vendin e tij drejt normalizimit të marrëdhënieve me Izraelin.
Megjithatë, ai shtoi se çështja palestineze është shumë e rëndësishme për Arabinë Saudite në çfarëdo marrëveshjeje të ardhshme me Izraelin.
Zyrtarët amerikanë kanë thënë se duan që të sigurojnë një marrëveshje para se zgjedhjet presidenciale të vitit 2024 në ShBA ta konsumojnë agjendën e presidentit Biden.
Megjithatë, disa çështje mbeten të pazgjidhura, përfshirë ndonjë traktat të mundshëm të mbrojtjes mes Uashingtonit dhe Riadit dhe përkrahjen e mundshme të ShBA-së për një program bërthamor civil, që do ta përfshinte pasurimin e uraniumit në tokën saudite.
