Izraeli vret gjashtë palestinezë brenda dy ditëve - NACIONALE

Izraeli vret gjashtë palestinezë brenda dy ditëve

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Gjashtë palestinezë janë vrarë nga operacionet ushtarake izraelite në Bregun e pushtuar Perëndimor dhe gjatë trazirave në Rripin e Gazës, thanë të mërkurën zyrtarët shëndetësorë palestinezë.

Numri i të vrarëve nga dhuna e re ishte katër të martën vonë. Megjithatë, Ministria e Shëndetësisë e Palestinës e rriti atë, duke thënë se katër persona janë vrarë nga bastisja e forcave izraelite në kampin e refugjatëve në Jenin, ndërsa rreth 30 të tjerë janë plagosur, raporton agjencia “Associated Press”.

Në një bastisje tjetër në një kamp refugjatësh u vra edhe një palestinez. Palestinezi i gjashtë u vra nga të shtënat e forcave izraelite gjatë trazirave në Rripin e Gazës, thanë zyrtarët.

Ushtria izraelite tha të mërkurën se trupat e saj hapën zjarr ndaj një palestinezi që po hidhte mjete shpërthyese drejt tyre përderisa ishin në një bastisje gjatë natës në kampin e refugjatëve “Aqabat Jabr”. Ky kamp, që ndodhet afër qytetit palestinez, Jericho, është bërë njëra ndër pikat kyçe për bastisje nga forcat izraelite.

Ministria e Shëndetësisë e Palestinës tha se forcat izraelite gjatë bastisjes e kanë vrarë 19-vjeçarin Dhargham al-Akhras.

Ushtria izraelite tha se kreu një sulm të rrallë të martën me dron vetëvrasës gjatë operacionit në kampin e refugjatëve në Jenin dhe shkëmbeu të shtëna me persona të armatosur atje. Gjatë largimit të ushtarëve nga kampi, ushtria tha se një mjet shpërthyes shpërtheu nën një kamion ushtrie dhe persona të armatosur hapën zjarr, duke e dëmtuar automjetin. Asnjë ushtar izraelit nuk u lëndua.

Pas tërheqjes së ushtrisë izraelite nga kampi në Jenin, dhjetëra persona të armatosur e banorë dolën rrugëve për të protestuar kundër Autoritetit Palestinez dhe dështimit të tij për t’i mbrojtur ata, sipas pamjeve të publikuara nga banorët.

Izraeli thotë se me bastisje synohen shpërbërja e rrjeteve të militantëve dhe parandalimi i sulmeve në të ardhmen.

Rreth 190 palestinezë janë vrarë në Bregun Perëndimor nga fillimi i vitit, sipas statistikave të agjencisë “Associated Press”. Izraeli thotë se shumica e të vrarëve kanë qenë militantë. Megjithatë, në mesin e të vrarëve ka pasur edhe të rinj që protestonin kundër aksioneve izraelite dhe persona të tjerë, që nuk ishin të përfshirë në përleshje.

Lajme të ngjashme