Për dy ditë, Izraeli vret tre të rinj palestinezë – 17, 18 e 19 vjeç - NACIONALE

Për dy ditë, Izraeli vret tre të rinj palestinezë – 17, 18 e 19 vjeç

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Forcat izraelite raportohet se kanë vrarë tre të rinj palestinezë brenda dy ditëve – të enjten dhe të premten. Të vrarët ishin të moshave 17, 18 dhe 19-vjeçare.

Zyrtarët shëndetësorë palestinezë thanë se trupat izraelite qëlluan për vdekje një palestinez afër një faltoreje në Bregun e pushtuar Perëndimor të enjten. Vrasja ndodhi gjatë kohës kur forcat izraelite po përcillnin besimtarë izraelitë, përfshirë komandantin e policisë dhe kreun e këshillit lokalë të ardhësve hebrenj, për në një vend të njohur si Varri i Jozefit, në qytetin palestinez të Nablusit, raporton agjencia “Associated Press”.

Ushtria izraelite tha se gjatë vizitës, disa të dyshuar hapën zjarr dhe hodhën mjete shpërthyese, gurë e goma të ndezura drejt trupave, të cilët gjithashtu hapën zjarr.

Agjencia palestineze e lajmeve, “Wafa”, e identifikoi personin e vrarë nga izraelitet si Badr al-Masri, 19 vjeç, duke shtuar se tre persona të tjerë janë plagosur.

Të premten, Ministria e Shëndetësisë e Palestinës raportoi për vdekjen e 17-vjeçarit Mohammed al-Bayed, në qytetin Ramallah, raporton gazeta “The Guardian”.

I riu Bayed vdiq nga plagët e shkaktuara nga plumbat e shkrepur nga forcat izraelite, sipas ministrisë palestineze, ndërsa policia kufitare izraelite e akuzoi atë për sulm ndaj oficerëve.

Më vonë të premten, zyrtarët palestinezë thanë se forcat izraelite qëlluan për vdekje një palestinez në Bregun e pushtuar Perëndimor. Ushtria izraelite tha se bëhej fjalë për “tentativë për goditje me veturë” afër qytetit Nablus.

Ministria e Shëndetësisë e Palestinës tha se 18-vjeçari Fawzi Mukhalifa “u vra nga nga plumbat e pushtimit (izraelit) në qytezën Sebastia” të premten vonë.

Ushtria izraelite tha se është i është kundërpërgjigjur një “përpjekjeje për goditje me veturë” në qytezën që ndodhet në pjesën veriore të Bregut Perëndimor “përmes shkrehjes në drejtim të të dyshuarve, të cilët ishin në veturë.” “Drejtuesi i veturës u neutralizua”- thuhet në deklaratë.

Nga dhuna e ndërlidhur me konfliktin izraelito-palestinez janë vrarë të paktën 198 palestinezë, 27 izraelitë, një ukrainas dhe një italian vetëm këtë vit, sipas të dhënave të agjencisë AFP, të hartuara në bazë të burimeve zyrtare nga të dyja palët.

Lajme të ngjashme