Raportohet se Witkoff-i po shpreson të udhëtojë në Katar që ta mbyllë paktin e armëpushimit në Gaza
Emisari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara, Steve Witkoff, shpreson që të udhëtojë në Doha të Katarit në fund të javës për të finalizuar një marrëveshje për armëpushim dhe lirim të pengjeve mes Izraelit dhe Hamasit, tha të martën një burim i përfshirë në përpjekjet për ndërmjetësim.
Burimi foli për gazetën “The Times of Israel” pak pasi zëdhënësja e Departamentit të Shtetit të ShBA-së, Tammy Bruce, njoftoi se sekretari i Shtetit, Marco Rubio, porsa e kishte njoftuar se emisari Witkoff ishte tashmë rrugës për në rajon dhe se Uashingtoni kishte shpresë të madhe për arritjen e marrëveshjes.
Witkoff-i “po niset në rajon tani – në zonën e Gazës” – tha Bruce në një konferencë me gazetarë. Kur iu kërkua që të tregonte se ku po udhëtonte saktësisht emisari, ajo tha se Rubio nuk i kishte treguar të dhëna specifike.
Megjithatë, burimi i përfshirë në ndërmjetësim tha se Witkoff-i ndodhej në të vërtetë ende në ShBA dhe pritej të nisej të mërkurën – por për takime në Evropë, e jo në Katar, ku kanë qenë duke u zhvilluar bisedime.
Prania e emisarit amerikan në Doha është parë si tregues që bisedimet po i afrohen një konkluzioni, pasi negociatorët kanë thënë se ai dëshiron të bëhet pjesë e procesit vetëm kur ata të kenë arritur në një pikë ku janë të gatshëm për njoftimin e një marrëveshjeje.
Gjithashtu të martën, kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, mbajti një diskutim për vlerësimin e situatës me ekipin negociues izraelit në Doha, tha një zyrtar izraelit.
Bisedimet me ndërmjetësim kanë qenë duke u zhvilluar nga 6 korriku. Propozimi në tavolinë e parasheh lirimin e dhjetë pengjeve të gjalla dhe të trupave të 18 pengjeve të vdekura në këmbim të një numri ende të papërcaktuar të të burgosurve palestinezë gjatë një armëpushimi 60-ditor. Porsa të fillojë armëpushimi i përkohshëm, palët do të mbajnë bisedime për kushtet e një armëpushimi të përhershëm dhe lirimin e 22 pengjeve të mbetura, dhjetë prej të cilave besohet se janë ende gjallë.
Ndërmjetësit shprehën optimizëm javën e kaluar për gjasat e një marrëveshjeje të shpejtë, pasi Izraeli u pajtua që të sprapsej nga kërkesat në lidhje me nivelin e pranisë së trupave në Gaza gjatë armëpushimit dymujor. Prej asaj kohe, megjithatë, Hamasi është akuzuar për zvarritje në dhënien e përgjigjes ndaj koncesioneve të fundit të Izraelit dhe ende nuk e kishte ofruar atë deri të martën vonë, tha burimi.
Më herët, Hamasi kishte pretenduar para ndërmjetësve se nuk po arrinte të vendoste kontakte me udhëheqësit e vet në Gaza, por kjo dukej se ishte taktikë për zvarritje, tha burimi, duke shtuar se ndërmjetësit e paralajmëruan grupin palestinez se ShBA-ja do t’i tërhiqte garancitë për ta mbajtur Izraelin në tavolinë gjatë bisedimeve për armëpushim të përhershëm, nëse Hamasi nuk do të përgjigjej shpejt në mënyrë konstruktive.
Prapëseprapë, një diplomat arab i afërt me bisedimet tha se trajektorja e përgjithshme është pozitive dhe se arritja e një marrëveshjeje është e mundshme ditëve në vijim./Nacionale