Raportohet se Trumpi po i kërkon shtetit të vet 230 milionë dollarë dëmshpërblim
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, po kërkon nga Departamenti i Drejtësisë që t’ia paguajë rreth 230 milionë dollarë si dëmshpërblim për hetimet federale ndaj tij, sipas disa personave të afërt me çështjen, të cilët shtuan se çfarëdo zgjidhje për këtë temë mund të miratohet në fund nga zyrtarët e lartë të Departamentit që e kishin mbrojtur presidentin ose nga ata që ndodhen brenda orbitës së Trumpit.
Kjo situatë nuk ka paralele në historinë amerikane, raporton gazeta “The New York Times”, pasi Trumpi, atëherë kandidat për president, ishte hetuar nga organet federale dhe më pas i fitoi zgjedhjet, duke u vënë në krye të mu administratës që tani duhet t’i shqyrtojë pretendimet e tij. Ky gjithashtu është shembulli më i pastër deri më tani i konflikteve të mundshme etike të krijuara nga vendosja e ish-avokatëve të presidentit në pozita të rëndësishme në Departamentin e Drejtësisë.
Trumpi i ka dorëzuar ankesat përmes një procesi të kërkesës administrative që shpesh u paraprin padive. Në kërkesën e parë, të dorëzuar në fund të vitit 2023, kërkohet dëmshpërblim për gjoja disa shkelje të të drejtave të tij, përfshirë shkeljet e pretenduara në hetimin e FBI-së dhe hetuesit të posaçëm për ndërhyrjen ruse në zgjedhje dhe lidhjet e mundshme të fushatës së Trumpit të vitit 2016, sipas personave të afërt me çështjen. Ata folën në kushte anonimiteti, sepse kërkesa nuk është bërë publike.
Në ankesën e dytë, të dorëzuar në verën e vitit 2024, akuzohet FBI-ja për shkeljen e privatësisë së Trumpit përmes bastisjes së rezidencës së tij “Mar-a-Lago” në Florida, në vitin 2022 në kërkim të dokumenteve të klasifikuara. Aty gjithashtu akuzohet Departamenti i Drejtësisë për ndjekje penale keqdashëse përmes ngarkimit të Trumpit me akuzën për keqtrajtim të të dhënave të ndjeshme pas largimit nga pushteti.
Njohësit e ligjit thonë se natyra e kërkesave të Trumpit paraqet sfida etike të pamohueshme. “Konflikti etik është thjesht aq bazik dhe fundamental, saqë nuk ke nevojë për profesor të drejtësisë për ta shpjeguar atë” – tha Bennett L. Gershman, profesor i etikës në Universitetin Pace.
“E pastaj të kesh njerëz në Departamentin e Drejtësisë që vendosin nëse kërkesa e tij duhet të jetë e suksesshme apo jo dhe këta janë njerëzit që i shërbejnë atij që të vendosë nëse do të fitojë apo do të humbë. Është bizare dhe gati tepër e çuditshme për t’u besuar” – shtoi ai.
Edhe Trumpi u duk se e pranoi situatën e pazakontë javën e kaluar në Zyrën Ovale. “Kam një padi që ishte duke ecur shumë mirë dhe, kur u bëra president, thashë: disi po e padis veten. Nuk e di, si e zgjidhni padinë, unë do të them: më jepni kaq dollarë dhe nuk e di se çfarë të bëj me padinë. Disi duket keq, po e padis veten, apo jo? Prandaj nuk e di, por ajo ishte një padi që po ecte shumë fuqishëm, shumë e fuqishme” – tha Trumpi duke qëndruar pranë drejtorit të FBI-së, Kash Patel, kryeprokurores së ShBA-së, Pam Bondi, dhe zëvendësit të saj, Todd Blanche./Nacionale