Raportohet se kreu i Hamasit u foli pengjeve në gjuhën hebraike në tunel: Çfarë iu tha atyre? - NACIONALE

Raportohet se kreu i Hamasit u foli pengjeve në gjuhën hebraike në tunel: Çfarë iu tha atyre?

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Kryetari i Hamasit, Yahya Sinwar, ka biseduar me pengjet izraelite, përderisa ato po mbaheshin nën tokë në Gaza pas sulmit të këtij grupi në Izrael më 7 tetor, sipas raportimeve të mediave në gjuhën hebraike të hënën.

Thuhet se Sinwari foli me pengjet në gjuhën hebraike në përpjekje për t’i siguruar se nuk do t’u ndodhte asgjë, pasi ishin dërguar në Gaza, raportoi televizioni “Channel 12”, duke cituar të dhëna nga një peng i liruar rishtazi, përcjell gazeta “The Times of Israel”.

Takimi ndodhi në një tunel, sipas këtij televizioni, pak pas vrasjes së rreth 1.200 personave në jug të Izraelit, kur përafërsisht tre mijë anëtarë të udhëhequr nga Hamasi e kaluan kufirin dhe hynë në jug të Izraelit, duke marrë mbi 240 pengje.

“Përshëndetje, unë jam Yahya Sinwar. Ju jeni më të mbrojturit këtu. Asgjë nuk do t’ju ndodhë juve”- u tha ai pengjeve, sipas raportimit të televizionit izraelit.

Një peng, që ishte i pranishëm në takim, u tregoi këtë rast familjes dhe zyrtarëve izraelitë të sigurisë, të cilët e konfirmuan rrëfimin, raportoi më tej televizioni “Channel 12”.

Sipas një raportimi pa burime në gazetën “Haaretz” të hënën, pengjet që i dëgjuan fjalët e kreut të Hamasit ishin nga vendbanimi Nir Oz, që kishte pësuar humbje të mëdha dhe dhjetëra rrëmbime më 7 tetor.

Udhëheqësi i Hamasit, për të cilin besohet se e kishte planifikuar dhe autorizuar sulmin e 7 tetorit, e kishte mësuar gjuhën hebraike në një burg izraelit, pasi në vitin 1989 ishte dënuar për udhëheqjen dhe vrasjen e dy ushtarëve izraelitë dhe katër palestinezëve për të cilët ai dyshonte se punonin me Izraelin.

Ai ishte dënuar me katër dënime me burgim të përjetshëm, por u lirua nga burgu në vitin 2011 si pjesë e marrëveshjes për lirimin e ushtarit izraelit, Gilad Shalit.

Betty Lahat, ish-shefe e Departamentit të Inteligjencës në Shërbimin e Burgjeve të Izraelit, vitin e kaluar tha se Sinwari e kishte shfrytëzuar kohën e kaluar në burg për të mësuar sa më shumë për izraelitët.

“Ai është person shumë inteligjent që ka investuar në zhvillimin e tij intelektual dhe në të kuptuarit e thellë të shoqërisë izraelite”- tha zonja Lahat.

Lajme të ngjashme