Raportohet se delegacioni rus është nisur drejt Turqisë për bisedimet me Ukrainën
Negociatorët rusë janë duke udhëtuar me aeroplan drejt Turqisë për bisedimet e para të paqes me Ukrainën në më shumë se shtatë javë, raportuan të mërkurën agjencitë ruse të lajmeve.
Agjencia shtetërore ruse e lajmeve, TASS, tha se bisedimet do të mbahen më vonë të mërkurën në Stamboll, transmeton agjencia “Reuters”.
Sipas të dhënave në uebfaqen për përcjelljen e fluturimeve, “Flightradar24”, një aeroplan që ishte përdorur për udhëtime në bisiedimet e kaluara nga shefi i delegacionit rus, Vladimir Medinsky, ishte nisur nga Moska.
Palët ndërluftuese mbajtën dy runde të mëparshme bisedimesh në Stamboll, më 16 maj dhe 2 qershor, që sollën shkëmbim të të burgosurve të luftës dhe mbetjeve të ushtarëve të vdekur.
Megjithatë, përmes atyre bisedimeve nuk u shënua ndonjë hap i madh drejt armëpushimit ose për ndonjë zgjidhje të konfliktit që nisi para gati tre vjetëve e gjysmë.
Presidenti amerikan, Donald Trump, javën e kaluar i kërcënoi me sanksione të ashpra Rusinë dhe shtetet që blejnë naftë prej saj, nëse një marrëveshje e paqes nuk do të arrihej brenda 50 ditëve.
Megjithatë, burime të afërta me Kremlinin i kanë thënë agjencisë “Reuters” se Putini nuk është i shqetësuar nga ultimatumi i homologut amerikan dhe do ta vazhdojë luftën në Ukrainë derisa Perëndimi të angazhohet sipas kushteve të tij për paqe dhe se kërkesat e tij territoriale mund të zgjerohen me avancimin e forcave ruse./Nacionale