Raportohet se Blinkeni ka kërkuar nga Katari që ta zbusë retorikën anti-izraelite në “Al Jazeera”
Sekretari i Shtetit i ShBA-së, Antony Blinken, raportohet se ka kërkuar nga kryeministri i Katarit, Mohammed bin Abdulrahman bin Jassim al-Thani, që ta zbutë retorikën anti-izraelite të televizionit shtetëror të këtij vendi, “Al Jazeera”, rreth luftës së Gazës.
Kërkesa për “ta ulur vëllimin e mbulimit të Al-Jazeera-s është për shkak se ajo është plot nxitje anti-izraelite” lë të kuptohet se Shtetet e Bashkuara kanë frikë mbulimi mediatik i luftës nga Katari është duke i nxitur tensionet në rajon, raporton gazeta “The Times of Israel”, duke e cituar faqen amerikane të lajmeve, “Axios”.
Sipas mediumit amerikan, kjo kërkesë ishte në mesin e disa kërkesave që Bideni ia ka bërë Katarit si pjesë e një apeli më të gjerë për ta ndryshuar qëndrimin publik të këtij shteti ndaj Hamasit.
Duke folur pranë kryeministrit të Katarit më herët këtë muaj, kryediplomati amerikan kishte thënë se “nuk mund të ketë më punë të zakonshme me Hamasin”.
Katari është kritikuar për strehimin e udhëheqësve politikë të Hamasit, por i ka shfrytëzuar këto marrëdhënie në bisedimet për t’i liruar pengjet në Gaza.
Zyrtarëve amerikanë disa herë u është bërë presion që të përgjigjen nëse e dënojnë strehimin e zyrtarëve të Hamasit nga Katari dhe me kujdes e kanë shmangur këtë veprim. Në vend të kësaj, amerikanët kanë shprehur vlerësim pozitiv për rolin e Katarit për lirimin e katër pengjeve që ishin rrëmbyer në Izrael nga Hamasi.