Raportohet për të paktën 30 pjesëtarë të vrarë të forcave qeveritare nga rebelët Houthi në Jemen - NACIONALE

Raportohet për të paktën 30 pjesëtarë të vrarë të forcave qeveritare nga rebelët Houthi në Jemen

45 minuta më parë

nga NACIONALE

Së paku 30 pjesëtarë të forcave qeveritare jemenase raportohet të jenë vrarë nga sulmet e rebelëve Houthi ndaj kampeve ushtarake në pjesën qendrore të vendit.

Burimet thanë se raketa e dronë goditën disa kampe të menaxhuara nga Forcat Emergjente në zonën al-Ruëaik të provincës Marib dhe në zonën al-Abr të Hadramaët-it, raporton televizioni BBC.

Ministri i Shëndetësisë, Qasim Bahibah, e dënoi sulmin “e pabesë”, duke thënë se për qëllim e kishte destabilizimin e sigurisë dhe stabilitetit. Ai nuk ofroi ndonjë shifër të të vrarëve.

Një zëdhënës i lëvizjes Houthi, e cila kontrollon pjesë të mëdha të Jemenit Veriperëndimor dhe mbështetet nga Irani, tha se kishte vënë në shënjestër “grumbullime të mëdha ushtarake saudite” që po përgatiteshin për ofensivë. Një koalicion i udhëhequr nga Arabia Saudite e ka mbështetur Qeverinë e Jemenit gjatë luftës civile të vendit.

Nuk pati komente të menjëhershme nga ky koalicion apo nga Arabia Saudite.

Misioni i Shteteve të Bashkuara në Jemen tha se sulmet e grupit Houthi janë “frikacake” dhe një shembull tjetër i atij që e quajti “terrorizëm i tyre kundër popullit jemenas”.

Jemeni është shkatërruar nga një luftë civile që nisi në vitin 2014, kur grupi Houthi e dëboi qeverinë nga kryeqyteti Sanaa. Konflikti u përshkallëzua më 2015, pasi koalicioni i udhëhequr nga sauditët ndërhyri në përpjekje për ta rikthyer pushtetin qeveritar./Nacionale

Lajme të ngjashme