Raportohet për shtatë palestinezë të vrarë nga forcat izraelite në Bregun Perëndimor
Shtatë palestinezë, përfshirë katër adoleshentë, janë vrarë nga forcat izraelite në disa incidente në Bregun e pushtuar Perëndimor, raportoi të enjten herët agjencia zyrtare palestineze e lajmeve, WAFA.
Kjo agjenci tha se numri i përgjithshëm i palestinezëve të vrarë nga forcat izraelite në Bregun Perëndimor nga 7 tetori ka shkuar në 69, përcjell gazeta “The Guardian”.
Agjencia palestineze raportoi se në mesin e të vrarëve ishin katër djem të moshave 14, 15, 16 e 17-vjeçare. Nuk pati koment të menjëhershëm nga Izraeli.
Në Bregun Perëndimor e ka selinë Autoriteti Palestinez, që mbizotërohet nga rivalët e Hamasit, Fatahu dhe presidenti 87-vjeçar palestinez, Mahmoud Abbas.
Bregu Perëndimor kufizohet me Jerusalemin, ku ndodhen objekte të shenjta për myslimanët, të krishterët e hebrenjtë.
