Raportohet për pacientë të vdekur pas harxhimit të karburantit në spitalin kryesor të Gazës
Drejtori i spitalit kryesor në Gaza, “Shifa”, ka thënë se ky objekt ka mbetur pa energji elektrike dhe se shërbimet mjekësore janë ndërprerë, duke e nisur vdekjen e pacientëve.
Izraeli e ka portretizuar këtë spital si pikë kryesore të komandës së Hamasit, duke thënë se militantët po i shfrytëzojnë civilët si mburoja njerëzore dhe se kishin ndërtuar bunkerë të hollësishëm nën ndërtesë. Ditëve të fundit, luftimet afër spitalit “Shifa” dhe spitaleve të tjera në zonën e luftimeve në veri të Gazës janë shpeshtuar dhe furnizimet janë harxhuar, raporton agjencia “Associated Press”.
“Nuk ka rrymë. Pajisjet mjekësore u ndalën. Pacientët, sidomos ata në kujdes intensive, filluan të vdisnin”- tha drejtori i spitalit, Mohammed Abu Selmia, duke folur përmes telefonit, përderisa në prapavijë dëgjoheshin të shtënat e shpërthimet.
Drejtori tha se trupat izraelite “po e qëllojnë me armë këdo jashtë ose brenda spitalit” dhe po e parandalojnë lëvizjen mes ndërtesave në kompleks.
Pretendimi se trupat izraelite ishin burimi i vetëm i zjarrit nuk mund të vërtetohej në mënyrë të pavarur. Kur u pyet për raportimet se trupat po qëllojnë me armë në oborrin e spitalit, zëdhënësi i ushtrisë izraelite, Peter Lerner, tha: “Trupat janë në mes të luftimeve të vazhdueshme intensive kundër Hamasit në afërsi të zonës në fjalë.” Ai shtoi se ushtria i ndërmerr të gjitha masat e zbatueshme për ta parandaluar lëndimin e civilëve.
Pesë pacientë vdiqën pas fikjes së gjeneratorit, përfshirë një foshnjë të lindur para kohës normale, tha Medhat Abbas, zëdhënës i Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza.
Të shtunën, ushtria izraelite njoftoi për herë të parë një pauzë në luftime si pjesë e periudhës për evakuimin e civilëve, duke e përmendur në mënyrë specifike kampin urban të refugjatëve në Jabaliya, afër qytetit Gaza.
Duke folur para gazetarëve gjatë një vizite në Indi të premten, sekretari i Shtetit i ShBA-së, Antony Blinken, theksoi disa parime themelore për Gazën pas luftës, përfshirë ”moszhvendosjen me forcë të palestinezëve nga Gaza dhe mospërdorimin e enklavës si platformë për nisjen e terrorizmit ose sulmeve të tjera kundër Izraelit”.

