Raporti i Pentagonit: Kina me gjasë ka ngarkuar në silose mbi 100 raketa ndërkontinentale - NACIONALE

Raporti i Pentagonit: Kina me gjasë ka ngarkuar në silose mbi 100 raketa ndërkontinentale

6 muaj më parë

nga Nasuf Abdyli

Kina me gjasë ka ngarkuar më shumë se 100 raketa balistike ndërkontinentale në tri fusha të siloseve dhe nuk ka dëshirë për bisedime rreth kontrollit të armëve, sipas një draft-raporti të Pentagonit që i vë në pah ambiciet ushtarake në rritje të Pekinit.

Kina është duke i zgjeruar dhe duke i modernizuar rezervat e saj të armëve më shpejt se cilado fuqi tjetër që ka armë bërthamore. Pekini i ka përshkruar raportet për rritje ushtarake si përpjekje për ta “njollosur dhe diskredituar Kinën dhe për ta çorientuar qëllimisht komunitetin ndërkombëtar”, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Muajin e kaluar, presidenti Donald Trump i ShBA-së tha se ai mund të jetë duke punuar për një plan denuklearizimi me Kinën dhe Rusinë. Sidoqodtë, në draft-raportin e Pentagonit, të cilin e ka parë agjencia “Reuters”, thuhet se Pekini nuk duket të jetë i interesuar për këtë nismë.

“Ne vazhdojmë që të mos shohim uri nga Pekini për ndjekjen e masave të tilla ose diskutimeve më gjithëpërfshirëse për kontrollimin e armëve”, thuhet në raport.

Në veçanti, raporti thotë se Kina me gjasë kishte vënë më shumë se 100 raketa balistike ndërkontinentale DF-31 me karburant të ngurtë në fusha silosesh afër kufirit kinez me Mongolinë. Pentagoni në të kaluarën kishte raportuar për ekzistencën e këtyre fushave, por jo për numrin e raketave të ngarkuara në to.

Pentagoni dhe Ambasada e Kinës në Uashington nuk iu përgjigjën menjëherë kërkesave për koment.

Në draft-raportin e Pentagonit nuk identifikohet ndonjë cak i mundshëm i raketave për të cilat raportohet se janë vendosur rishtazi në silose. Zyrtarët amerikanë theksuan se raporti mund të ndryshojë para se t’u dërgohet ligjvënësve.

Më tej, në draft-raport thuhet se rezervat e kokave bërthamore të Kinës ishin ende në 600 e pak dhjetëshe në vitin 2024, gjë që pasqyron “një ritëm më të ngadalshëm të prodhimit në krahasim me vitet e mëparshme”.

Sidoqoftë, në raport theksohet se zgjerimi i armëve bërthamore të Kinës është duke vazhduar dhe është në rrugë të mirë për të arritur në shifrën e 1.000 kokave bërthamore deri në vitin 2030./Nacionale

Lajme të ngjashme