Quhet si presidenti ukrainas, 64-vjeçari Zelensky tregon se si një ushtar rus u tall me të
Kur forcat pushtuese ruse trokitën në derën e tij në një fshat të vogël në lindje të Ukrainës në fund të prillit për ta kontrolluar identitetin e banorëve, pensionisti 64-vjeçar, Volodymyr Zelensky, u tmerrua.
Atëherë, njëri nga ushtarët rusë e shikoi pasaportën e ukrainasit dhe shpërtheu në të qeshura. “Mirë është, djem, lufta përfundoi. Mund të shkojmë në shtëpi, e kemi presidentin e tyre”, tha ushtari.
I lindur më 1958 në qytetin lindor ukrainas, Bakhmut, në atë kohë pjesë e Bashkimit Sovjetik, fëmijë i një minatori të thëngjillit e një punëtoreje të ndërtimit, Zelensky, emnak i udhëheqësit ukrainas, kishte shërbyer si vozitës në ushtrinë sovjetike dhe pastaj kishte punuar në ndërtimtari.
Që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës në shkurt, Zelensky, i cili nuk ka ndonjë lidhje të njohur me presidentin ukrainas, e ka kaluar shumicën e luftës duke u fshehur nga bombardimet në bodrumin e shtëpisë së tij.

“E pata lënë duhanin para katër vjetëve, por e fillova përsëri”, tha Zelensky. Agjencia AFP nuk do ta publikojë emrin e fshatit të tij për arsye sigurie.
“Nuk dukesha si ai”
Bashkëshortja e tij, Valentina Zelenska, 72 vjeçe, u vendos në perëndim të Ukrainës në fillim të luftës, por Zelensky refuzoi të largohej nga shtëpia që e kishte blerë para 20 vjetëve.
Aty, ai mund ta thithte “ajrin më të pastër” pas disa vjetëve në një qytezë minierash, të mbjellë perime në kopshtin e vet, ta shijojë kohën në oborr dhe të peshkojë në pellgun lokal.
Zonja Zelenska u kthye në shtëpi pas dëbimit të rusëve nga forcat ukrainase muajin e kaluar. Sidoqoftë, fshati tashmë po bombardohet me artileri ruse dhe ajo alarmohet sa herë dëgjohet ndonjë shpërthim jashtë.
“Ajo nuk është mësuar me këtë”,- tha Zelensky, që kishte veshur pantallona kadifeje. Me ndihmën e një baterie të dorës, ai nxori një album të vjetër me fotografi dhe gjeti një fotografi ku ndodhej vetë në uniformë ushtarake.

"Nuk mendoj se dukem si presidenti, aspak",- tha ai. Bashkëshortja nuk u pajtua me të.
“Por ti dukesh si ai”,- ia ktheu Zelenska nga stoli në anën tjetër të dhomës së ndejës.
“Për cilin president po flet? Bidenin?” – pyeti bashkëshorti i saj.
“Njerëzit s’po munden më”
Bashkëshortja e tij thotë se Zelensky është mbiemër i shpeshtë në Ukrainë, por edhe në Rusi. Sidoqoftë, ajo pranon se kurrë nuk ka njohur më parë ndonjë Volodymyr Zelensky tjetër derisa është zgjedhur presidenti Zelensky më 2019.
Zelensky, pensionisti, votoi për emnakun e tij në zgjedhje. “Ai përfaqëson mirë, është i ri, inteligjent”, tha ai.
Megjithatë, tash Zelensky thotë se është i zhgënjyer që presidenti nuk po bën më shumë për ta negociuar fundin e luftës me Rusinë.
“Njerëzit këtu nuk munden më”,- tha ai.
Si shumë banorë të gjeneratës së tij në rajonin lindor të Donbasit, Zelensky e konsideron Ukrainën atdhe të vet.
Sidoqoftë, ish-ushtari sovjetik ka edhe nostalgji për vitet e tij gjatë regjimit sovjetik, për të cilat thotë se kishin sjellë paqe e mirëqenie për gjeneratën e tij.
Të mërkurën ishte përvjetori i 22-të i martesës së çiftit dhe Zelensky dëshiroi që t’i jepte bashkëshortes një buqetë me lule, por në një fshat të rrënuar nga lufta dhe të shkëputur nga pjesa tjetër e botës, nuk u gjetën lule.
Përktheu: Nacionale/Nasuf Abdyli
