Putini tregon se cilin kandidat për president të ShBA-së e mbështet Rusia - NACIONALE

Putini tregon se cilin kandidat për president të ShBA-së e mbështet Rusia

3 ditë më parë

nga Nasuf Abdyli

Presidenti rus, Vladimir Putin, tha të enjten se vendi i tij e përkrah demokraten Kamala Harris në zgjedhjet presidenciale të nëntorit në ShBA.

Mësa dukej, komenti i kreut të Kremlinit ishte ironik, pasi kreu i Kremlinit e përmendi të qeshurën “ngjitëse” të Harrisit si arsye për ta parapëlqyer atë para republikanit Donald Trump, raporton agjencia “Reuters”.

Putini foli një ditë pasi Departamenti i Drejtësisë i ShBA-së akuzoi dy udhëheqës të mediave ruse për një skemë të dyshimtë ilegale për të ndikuar në zgjedhjet e ShBA-së.

Presidenti rus kishte thënë më herët këtë vit – para se presidenti Joe Biden të tërhiqej nga gara – gjithashtu me ironi të dukshme – se ai e parapëlqente Bidenin para Trumpit, sepse demokrati ishte politikan më i parashikueshëm.

Kur u pyet se si i sheh zgjedhjet në ShBA tani, Putini tha në një forum ekonomik në lindje të Rusisë se kjo është zgjedhje e popullit amerikan.

Megjithatë, ai shtoi se pasi Bideni u kishte rekomanduar përkrahësve që ta mbështesnin Harrisin, “ne do ta bëjmë të njëjtën, do ta përkrahim atë [Harrisin]”.

“Ajo qesh në mënyrë shumë shprehëse dhe ngjitëse, saqë nënkupton që gjithçka është në rregull me të” – tha Putini, duke shtuar se kjo ndoshta i bie që ajo do të përmbahet nga sanksionet e mëtejme kundër Rusisë.

Sidoqoftë, agjencitë amerikane të inteligjencës besojnë se Rusia dëshiron që republikani Trump t’i fitojë zgjedhjet, sepse ai është më pak i përkushtuar ndaj mbështetjes për Ukrainën në luftën e saj kundër Rusisë.

Në anën tjetër, Putini ka thënë se Trumpi, si president, kishte vendosur më shumë sanksione kundër Rusisë se cilido president tjetër para tij në Shtëpinë e Bardhë./Nacionale

Lajme të ngjashme