Putini: Politika amerikane në Lindje të Mesme ka dështuar, s’i mori parasysh nevojat palestineze - NACIONALE

Putini: Politika amerikane në Lindje të Mesme ka dështuar, s’i mori parasysh nevojat palestineze

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, tha të martën se shpërthimi i dhunës mes Izraelit dhe palestinezëve tregon që politika e ShBA-së ka dështuar në Lindje të Mesme dhe nuk i ka marrë parasysh nevojat e palestinezëve.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se Rusia ishte në kontakt me të dyja palët e konfliktit dhe se ky shtet do të synojë që të luajë një rol në zgjidhjen e konfliktit, por nuk saktësoi se si do ta bëjë këtë. Megjithatë, Peskovi paralajmëroi se konflikti ka rrezik që të përhapet në rajone të tjera, raporton agjencia “Reuters”.

Gjatë bisedimeve me kryeministrin irakian, Mohammed Shia Al-Sudani, Putini e shfrytëzoi rastin që ta fajësonte politikën amerikane në rajon për eskalimin e madh të konfliktit.

“Mendoj se shumë njerëz do të pajtohen me mua që ky është një shembull i qartë i dështimit të politikës së Shteteve të Bashkuara në Lindje të Mesme”- tha presidenti rus.

Ai pretendoi se Uashingtoni kishte synuar që t’i “monopolizonte” përpjekjet për arritje të paqes dhe e akuzoi ShBA-në për dështim të kërkimit të kompromiseve funksionale. Sipas Putinit, Shtetet e Bashkuara i kishin shpërfillur interesat e palestinezëve, përfshirë nevojën e tyre për shtetin e tyre të pavarur.

Presidenti rus nuk e përmendi vetë rolin e Rusisë në procesin e paqes në Lindje të Mesme. Bashkë me Shtetet e Bashkuara, Kombet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian, Rusia nga viti 2002 bën pjesë në “kuartetin” e fuqive që janë ngarkuar me ofrimin e ndihmës për ndërmjetësim.

Në një deklaratë të Kremlinit thuhet se Putini dhe homologu i tij turk, Rexhep Erdogan, shprehën keqardhje për “rritjen katastrofale të vdekjeve në mesin e civilëve”.

Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, bëri thirrje për armëpushim të shpejtë gjatë një bisede me homologun iranian, Hossein Amir-Abdollahian.

Zëdhënësi i Kremlinit tha se Moska ka marrë pjesë në të gjitha formatet e përpjekjeve diplomatike pavarësisht nga progresi i kufizuar.

Lajme të ngjashme