Putin shkarkon zëvendës shefin e Mbrojtjes, e zëvendëson me "Kasapin e Mariupolit" - NACIONALE

Putin shkarkon zëvendës shefin e Mbrojtjes, e zëvendëson me "Kasapin e Mariupolit"

1 vit më parë

nga Miranda Shala

Vladimir Putin ka shkarkuar gjeneralin e akuzuar për keqmenaxhimin e operacioneve logjistike të ushtrisë ruse në Ukrainë.

Ministria ruse e Mbrojtjes njoftoi se gjenerali Dmitry Bulgakov, një zëvendësministër i Mbrojtjes, u hoq nga detyra të shtunën, duke shtuar se 67-vjeçari do të transferohet në një rol të ri.

U bë e ditur se ai do të zëvendësohet nga gjenerali Mikhail Mizintsev, i cili menaxhoi rrethimin brutal të Moskës në qytetin port të Mariupol.

Gjenerali Bulgakov ka drejtuar operacionet logjistike të ushtrisë që nga viti 2008 dhe ishte përgjegjës për mbajtjen e trupave ruse të furnizuara pas dislokimit të tyre në Siri në vitin 2015. Por vëzhguesit thonë se muajt e fundit ai është anashkaluar në Moskë, me shumë që e fajësojnë atë për operacionet kaotike të logjistikës që kanë penguar avancimin e Rusisë.

Kujotojmë se, muajt e fundit Kremlini është detyruar t'i afrohet Koresë së Veriut dhe Iranit - dy nga aleatët e tij të vetëm të mbetur - për furnizime të reja me artileri dhe dron.

Ndërsa, shkarkimi i gjeneralit Bulgakov vjen pas disa pamjeve të shpërndara në mediat sociale që tregojnë rekrutët rusë duke u pajisur me pushkë sulmi AK-47 të ndryshkura.

Gjenerali Mizintsev, i cili u quajt "Kasapi i Mariupolit" nga shumë ukrainas, gjithashtu udhëhoqi forcat ruse në Siri dhe u akuzua për orkestrimin e një fushate brutale bombardimi që rrafshoi qytetin e Aleppos.

Zyra e jashtme e Mbretërisë së Bashkuar tha se ai kishte përdorur "taktika të qortueshme" dhe kishte kryer "mizori" si në konfliktin ukrainas ashtu edhe në atë sirian kur shpalli sanksione kundër 60-vjeçarit në mars.

Ndryshimet e personelit të Putinit vijnë mes raporteve se lideri rus ka marrë përgjegjësinë personale për përpjekjet e luftës dhe ka filluar të lëshojë urdhra për gjeneralët në Ukrainë.

Zyrtarët amerikanë i thanë CNN se struktura komanduese, gjithnjë e më shumë jofunksionale në Moskë, e kishte detyruar Putinin të merrte një rol më aktiv në luftë.

Lajme të ngjashme