Mobilizimi ushtarak e “referendumet” e Putinit – zhvillimet kyçe nga lufta Rusi-Ukrainë - NACIONALE

Mobilizimi ushtarak e “referendumet” e Putinit – zhvillimet kyçe nga lufta Rusi-Ukrainë

1 vit më parë

nga Miranda Shala

Fjalimi i së mërkurës nga presidenti rus Vladimir Putin, me anë të së cilit urdhëroi një mobilizim të pjesshëm ushtarak si dhe mbajtja e referendumeve në katër rajone të Ukrainës - momentalisht nën pushtimin rus, kanë nxitur tensione si në Rusi ashtu edhe në Ukrainë.

Përderia në Rusi kanë shpërthyer protesta kundër luftës, të cilat kanë çuar në arrestime masive, nga Ukraina është raportuar se banorët që jetojnë në rajonet e kontrolluara ruse po detyrohen të votojnë në "referendumet" e organizuara nga Moska.

Në vazhdim ju sjellim edhe zhvillimet kyçe të ditës nga konflikti 7-mujor Rusi-Ukrainë.

  • Në ditën e dytë të mobilizimit ushtarak të urdhëruar nga presidenti rus Vladimir Putin, radhë të gjata me automjete kanë vazhduar të krijohen në pikat kufitare të Rusisë. Ky vendim ka çuar në një nxitim midis burrave të moshës ushtarake për t'u larguar nga vendi
  • Qeveria finlandeze ka njoftuar se do të mbyllë kufijtë e saj pasi vendi pa një bum të udhëtarëve rusë mbi kufirin lindor pas urdhrave të mobilizimit të Vladimir Putin.
  • Forcat e armatosura të Ukrainës thanë se kanë çliruar një vendbanim tjetër në rajonin e Donetsk dhe kanë përmirësuar pozicionet e tyre rreth qytetit lindor të Bakhmut. Sipas Oleksii Hromov, nga Shtabi i Përgjithshëm i forcave të armatosura të Ukrainës, fshati Yatskivka në rajonin e Donjeckut tani është në duart e Ukrainës.
  • Guvernatori i rajonit të Kharkiv, Oleh Synyehubov, ka thënë se 436 trupa janë zhvarrosur nga një vend varrimi masiv në qytetin lindor të Izium. Ai tha se tridhjetë prej trupave mbanin shenja të dukshme torture ndërsa njoftoi se janë lokalizuar edhe tre varre të tjera masive.
  • OKB-ja ka thënë se hetuesit e saj kanë arritur në përfundimin se Rusia ka kryer krime lufte në Ukrainë, duke përfshirë bombardimet e zonave civile, ekzekutime të shumta, tortura dhe dhunë të tmerrshme seksuale.
  • Të ashtuquajturat "referendume" janë duke u zhvilluar në zonat e Ukrainës të pushtuara nga trupat ruse, ku banorëve u është thënë të votojnë propozimet që katër rajonet ukrainase të shpallin pavarësinë dhe më pas t'i bashkohen Rusisë. Zgjedhjet në provincat Luhansk, Donetsk, Kherson dhe Zaporizhzhia do të zgjasin deri të martën dhe duket se janë një përpjekje për të siguruar mbulim për aneksimin e paligjshëm të rajoneve nga Moska.
  • Sipas zyrtarëve ukrainas, ukrainasit që jetojnë në zonat e pushtuara nga trupat ruse po detyrohen të votojnë në "referendume" të organizuara nga autoritetet pro-Moskës.
  • “Referendumet” janë dënuar gjerësisht në perëndim si të paligjshme. Ambasadorja e Britanisë në Ukrainë, Melinda Simmons, e përshkroi "referendumin e rremë" si "një ushtrim mediatik" nga Rusia, për të cilën rezultatet janë "pothuajse me siguri tashmë të vendosura". NATO i përshkroi "referendumet" si "përpjekje flagrante të Moskës për pushtim territorial" dhe tha se ato nuk kanë legjitimitet. Ndërsa, në një deklaratë të përbashkt, udhëheqësit e G7 thanë se ata kurrë nuk do t'i njihnin referendumet "e rreme".
  • Ministri i Jashtëm i Kinës Wang Yi i ka thënë homologut të tij ukrainas Dmytro Kuleba se “sovraniteti dhe integriteti territorial i të gjitha vendeve duhet të respektohen”. Takimi midis Wang dhe Kuleba u zhvillua në margjinat e asamblesë së përgjithshme të OKB-së në Nju Jork dhe ishte i pari që kur Rusia pushtoi Ukrainën.

Lajme të ngjashme