Protestë e kordinuar në G20, gjatë fjalës së delegatëve rusë lëshojnë sallën ministrat e disa vendeve
Ministrat e Financave nga Mbretëria e Bashkuar, ShBA, Kanadaja dhe Franca u larguan nga takimi i G20 të mërkurën ndërsa përfaqësuesit rusë folën, tha kancelari britanik Rishi Sunak, duke ekspozuar thellimin e ndarjeve mbi praninë e vazhdueshme të Rusisë në këtë takim.
Reuters raporton se nga takimi i 20 ekonomive më të medha të botës të mbajtur në Uashington DC, u larguan gjithashtu edhe zyrtarët ukrainas.
Në një postim në Twitter, Sunak tha se largimi nga takimi ishte një protestë e koordinuar:
“Më herët përfaqësuesit e mi, së bashku me homologët amerikanë dhe kanadezë, u larguan nga takimi i sotëm i G20 në Uashington ndërsa delegatët rusë folën. Ne jemi të bashkuar në dënimin tonë të luftës së Rusisë kundër Ukrainës dhe do të përpiqemi për një koordinim më të fortë ndërkombëtar për të ndëshkuar Rusinë.”
Ndërkohë edhe sekretarja e Thesarit e SHBA-së, Janet Yellen u tha të pranishmëve se ajo nuk e miraton praninë e një zyrtari të lartë rus në takim.
Sipas një burimi për Reuters, në takim mori pjesë personalisht zëvendësministri rus i financave Timur Maksimov, ndërsa ministri i financave të vendit Anton Siluanov dhe guvernatori i bankës qendrore iu bashkuan takimit virtualisht.