'Propagandë e Putinit', në bankat shkollore ruse vendosen foto me fytyrat e ushtarëve të vrarë në Ukrainë
Përderisa regjimi i Putinit është duke dashur të propagandojë luftën që po zhvillon në Ukrainë, një fushatë të çuditshme e makabre ka nisur edhe në shkolla.
Me burime nga media lokale ruse, DailyMail raporton se nxënësit në shkollën Irkutsk në Rusi janë detyruar të ulen në banka të shkollës mbi të cilat ishin vendosur fotografi me fytyrat e ushtarëve rusë të vrarë në Ukrainë dhe detaje mbi ta.
Mediat kanë raportuar se dy nxënësve u ka rënë të fikët nga tronditja, ndërsa shumë të tjerë kanë refuzuar të ulen në banka.

Një nga nxënësit citohet të ketë thënë se, “është njësoj si të mësosh në një gur varri” dhe se “bankat janë makabre”.
Është raportuar gjithashtu se si pjesë e fushatës propaganduese, nxënësit pritet t’i nënshtrohen stërvitjeve ushtarake dhe të këndojnë këngë patriotike.
Megjithatë një mësues rus, Alexei Volk, përgjegjës për klasat e kadetëve në shkollë, ka pranuar se pamja e re e bankave ishte e tepërt, por ka shtuar se disa e shihnin si “nder” të uleshin në to.