Bajrami dorëzon kallëzim penal për gjendjen në deponinë e Sferkës
Deputetja e Lidhjes Demokratike, Hykmete Bajrami, ka njoftuar se ka dorëzuar kallëzim penal lidhur me gjendjen në deponinë e mbeturinave në Sferkë të Pejës.
Sipas Bajramit, kallëzimi u është dërguar përmes postës elektronike Kryeprokurorit të Shtetit, Zejnullah Gashi, dhe Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj.
“Prej pesë ditësh deponia regjionale është përfshirë nga zjarri, duke rrezikuar seriozisht shëndetin e qytetarëve dhe mjedisin”, ka shkruar ajo.
Bajrami ka deklaruar se rreziku nuk ka filluar me zjarrin. Sipas saj, për më shumë se një dekadë, pas përfundimit të menaxhimit dhe mirëmbajtjes nga kontingjenti italian i KFOR-it, mbeturinat e pesë komunave nuk janë trajtuar sipas standardeve sanitare.
“Ato nuk janë groposur dhe as mbuluar me dhe, duke krijuar një grumbull gjigant mbetjesh që prej vitesh ndot ajrin, tokën dhe ujërat”, ka thënë Bajrami.
Ajo ka bërë të ditur se deponia menaxhohet aktualisht nga Kompania për Menaxhimin e Deponive në Kosovë, aksionar i vetëm i së cilës është Qeveria e Kosovës.
Përmes kallëzimit, deputetja Bajrami ka kërkuar hetimin e operatorit aktual, institucioneve dhe zyrtarëve përgjegjës për menaxhimin dhe mbikëqyrjen e deponisë ndër vite.
“Asnjë institucion nuk ka të drejtë që me mosveprimet e tij të lejojë që qytetarët t'i ekspozohen për vite me radhë një rreziku të tillë”, ka deklaruar ajo.
Ajo ka kërkuar që rasti të trajtohet me prioritet dhe që institucionet përgjegjëse të ndërmarrin hapa konkretë për sanimin e gjendjes deri në mbylljen e përhershme të deponisë.