Presidenti polak i kërkon ShBA-së që të vendosë koka bërthamore në Poloni - NACIONALE

Presidenti polak i kërkon ShBA-së që të vendosë koka bërthamore në Poloni

1 javë më parë

nga Nasuf Abdyli

Presidenti i Polonisë, Andrzej Duda, u ka bërë thirrje Shteteve të bashkuara që të transferojnë armë bërthamore në territorin polak si masë frenuese kundër një agresioni rus në të ardhmen, raportoi gazeta “Financial Times” të enjten.

Duda i tha kësaj gazete se e ka diskutuar këtë propozim rishtazi me emisarin e posaçëm të presidentit Donald Trump për Ukrainën dhe Rusinë, Keith Kellogg, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Polonia në të kaluarën ka thënë se do të ishte e gatshme që të mbante armë amerikane sipas një programi për ndarjen e armëve bërthamore dhe politikëbërësit polakë rishtazi kanë shprehur interesim për idenë e përmendur nga presidenti francez, Emmanuel Macron, që ombrella bërthamore e Francës t’u ofrohet aleatëve evropianë.

“Kufijtë e NATO-s lëvizën në lindje më 1999, prandaj 26 vjet më vonë duhet të ketë edhe një zhvendosje të infrastrukturës së NATO-s në lindje. Për mua kjo është e qartë” – citohet të ketë thënë Duda në intervistë.

Sipas presidentit polak, do të ishte më sigurt, nëse këto armë tashmë do të ishin në Poloni, përcjell gazeta "Nacionale".

Kryeministri polak, Donald Tusk, kundërshtar politik i presidentit Duda, tha të enjten se do të ishte më mirë që çështje të tilla të adresohen në mënyrë diskrete e jo në intervista, edhe pse tha se beson që presidenti ka qëllime të mira.

“Ne duhet të formulojmë pritje të caktuara… publikisht kur jemi të sigurt, ose kemi arsye për të qenë të bindur, se apele ose thirrje të tilla do të dëgjohen dhe se pranuesi (i thirrjes), në këtë rast administrata amerikane, presidenti Trump, është i përgatitur për një përgjigje pozitive” – tha Tusku para gazetarëve./Nacionale

Lajme të ngjashme