Presidenti i Koresë së Jugut e shpall ligjin emergjent të luftës
Presidenti i Koresë së Jugut, Yoon Suk Yeol, e ka shpallur ligjin e luftës.
Në një adresim të paparalajmëruar në televizion gjatë natës, ai tha se ky veprim është i nevojshëm për ta mbrojtur vendin nga forcat komuniste të Koresë së Veriut dhe për t’i eliminuar elementet anti shtet, raporton televizioni BBC.
Sipas tij, vendimi është marrë për t’i larguar nga vendi forcat pro Koresë së Veriut dhe për ta mbrojtur rendin kushtetues liberal.
Presidenti Yoon tha se ai nuk pati zgjedhje tjetër, pos ta shpallte ligjin e luftës, por gjatë fjalimit nuk tregoi se çfarë masash specifike do të merreshin.
Ligji i luftës është sundim i përkohshëm nga autoritetet ushtarake në kohë emergjencash, kur autoritetet civile vlerësohen si të paafta për të funksionuar.
Zbatimi i ligjit të luftës mund të ketë ndikime ligjore, si pezullimi i të drejtave civile të zakonshme dhe zgjatja e ligjit ushtarak.
Ligji i luftës është, në teori, i përkohshëm, por mund të vazhdojë të mbahet në fuqi për kohë të pacaktuar.
“Unë e shpall ligjin luftarak për ta mbrojtur Republikën e lirë të Koresë nga kërcënimi nga forcat komuniste të Koresë së Veriut, për t’i çrrënjosur forcat anti shtet dhe pro Koresë së Veriut që po i plaçkitin lirinë dhe lumturinë e popullit tonë, dhe për ta mbrojtur rendin e lirë kushtetues” – tha presidenti Yoon./Nacionale