Presidenti i Koresë Jugore e hap derën për ndihmë të mundshme ushtarake për Ukrainën
Koreja Jugore mund ta zgjerojë ndihmën e saj për Ukrainën përtej përkrahjes humanitare e ekonomike, nëse ky vend ballafaqohet me një sulm të madh kundër civilëve, tha presidenti korean, Yoon Suk Yeol, duke e sinjalizuar për herë të parë ndryshimin e qëndrimit të tij për armatosjen e Ukrainës.
Në një intervistë me agjencinë “Reuters” para vizitës së tij shtetërore në Shtetet e Bashkuara këtë javë, Yoon tha se qeveria e tij ka qenë duke eksploruar mënyra për t’i ndihmuar mbrojtjen dhe rindërtimin e Ukrainës, njësoj siç kishte marrë asistencë ndërkombëtare Koreja Jugore gjatë Luftës Koreane të periudhës 1950 – 1953.
“Nëse vjen një situatë të cilën komuniteti ndërkombëtar nuk mund ta falë, si një sulm i madh ndaj civilëve, masakra ose shkelja serioze e ligjeve të luftës, mund të jetë e vështirë për ne që të këmbëngulim vetëm në përkrahje humanitare ose financiare”- tha presidenti i Koresë Jugore.
Aleate kyçe e ShBA-së dhe prodhuese e rëndësishme e municionit të artilerisë, Koreja Jugore deri më tani është përpjekur që ta shmangë armiqësimin me Rusinë për shkak të operimit të kompanive të saj atje dhe për shkak të ndikimit të Moskës ndaj Koresë Veriore, pavarësisht nga presioni në rritje nga vendet perëndimore për dhurimin e armëve.
“Unë besoj se nuk do të ketë kufizime ndaj gjerësisë së përkrahjes për të mbrojtur dhe për të restauruar një shtet që është pushtuar ilegalisht edhe sipas së drejtës ndërkombëtare, edhe sipas asaj vendëse. Megjithatë, duke e marrë parasysh marrëdhënien tonë me palët e angazhuara në luftë dhe zhvillimet në fushën e betejës, ne do t’i ndërmarrim masat më të duhura”- shtoi presidenti Yoon.
Ai pritet ta vizitojë Uashingtonin javën e ardhshme, ku do të marrë pjesë në një samit me homologun amerikan, Joe Biden, për ta shënuar 70-vjetorin e aleancës mes vendeve të tyre. Yoon-i tha se në këtë samit do të kërkojë rezultate të prekshme nga përpjekjet e aleatëve për përmirësimin e përgjigjeve ndaj kërcënimeve në evoluim nga Koreja Veriore, e cila e ka rritur numrin e testimeve ushtarake dhe e cila javën e kaluar e lëshoi raketën e parë balistike ndërkontinentale me karburant të ngurtë.
“Nëse shpërthen një luftë bërthamore mes Koresë Jugore dhe Koresë Veriore, ky ndoshta nuk është problem vetëm mes dy palëve, por e tërë Azia Verilindore ndoshta do të bëhej hi. Kjo duhet të ndalet”- tha presidenti Yoon.
Në shkurt, Koreja Jugore dhe Shtetet e Bashkuara zhvilluan një ushtrim, duke simuluar një kundërpërgjigje ndaj një sulmi bërthamor nga Koreja Veriore si pjesë e përpjekjeve të Seulit për të luajtur rol më të madh në politikën bërthamore të Uashingtonit ndaj Koresë Veriore.

