Polonia do të blejë qindra tanke nga Koreja Jugore, pasi i dha armë Ukrainës - NACIONALE

Polonia do të blejë qindra tanke nga Koreja Jugore, pasi i dha armë Ukrainës

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Polonia do të blejë gati 1.000 tanke, mbi 600 pjesë artilerie e dhjetëra aeroplanë luftarakë nga Koreja Jugore, pjesërisht për t’i zëvendësuar pajisjet që ia ka dhënë Ukrainës për ta ndihmuar në luftën kundër Rusisë, tha të martën Ministria e Mbrojtjes.

Marrëveshja pritet të zyrtarizohet në Poloni të mërkurën. Sipas marrëveshjes, Varshava do të blejë 980 tanke të bazuara në modelin korean, K2, 648 obusë të tipit K9 dhe 48 aeroplanë luftarakë të tipit FA-50, tha ministria. Vlera e marrëveshjes nuk u bë e ditur.

180 tanket e para, të prodhuara nga kompania “Hyundai Rotem” dhe të pajisura me mitralozë 120-milimetërsh vetëngarkues, pritet që të arrijnë këtë vit, ndërsa prodhimi i 800 tankeve të modernizuara do të fillojë më 2026 në Poloni, thuhet në njoftimin e ministrisë.

48 obusët e parë, të prodhuar nga kompania “Hanwha Defense” pritet të arrijnë këtë vit, ndërsa prodhimi i 600 obusëve të tjerë pritet të fillojë më 2024. Nga viti 2025, këto armë do të prodhohen në Poloni, tha ministria polake.

Sipas ministrisë, automjetet e blinduara do t’i zëvendësojnë pjesërisht të tankeve të periudhës sovjetike që Polonia ia ka dhënë Ukrainës për t’i përdorur në luftën kundër Rusisë.

Javën e kaluar, ministri polak i Mbrojtjes, Mariusz Blaszczak, tha se kjo marrëveshje “do t’i rrisë në masë të konsiderueshme sigurinë e Polonisë dhe fuqinë e ushtrisë polake”.

Gjatë një vizite në Seul në maj, ministri polak tha se lufta në Ukrainë e shfaq nevojën urgjente të Polonisë për armët e Koresë Jugore.

“Biseduam për përshpejtimin e dërgesave të këtyre armëve në ushtrinë polake. Pse është e rëndësishme kjo? Për shkak të luftës në kufirin tonë lindor. Është e rëndësishme që Forcat e Armatosura Polake të jenë të pajisura me pajisje moderne, pajisje të dëshmuara dhe të tilla janë pajisjet e prodhuara nga Koreja”, deklaroi në maj ministri Blaszczak./Nacionale

Lajme të ngjashme