Koreja Jugore në bisedime me ShBA-në për t’u përfshirë në menaxhimin e armëve bërthamore
Koreja Jugore konfirmoi të martën se Seuli dhe Uashingtoni janë duke e diskutuar përfshirjen e këtij shteti në menaxhimin e armëve bërthamore të Shteteve të Bashkuara përballë shpeshtimit të kërcënimeve bërthamore të Koresë Veriore. Ky konfirmim erdhi pasi presidenti amerikan, Joe Biden, mohoi se aleatët janë duke i diskutuar ushtrimet e përbashkëta bërthamore.
Udhëheqësi i Koresë Veriore, Kim Jong Un, e filloi vitin e ri me zotimin për prodhim masiv të armëve bërthamore të fushës së betejës, duke e vënë në shënjestër Korenë Jugore, dhe për një raketë më të fuqishme balistike ndërkontinentale, e cila do të mund ta godiste territorin kryesor të Shteteve të Bashkuara, shkruan “Associated Press”.
Presidenti i Koresë Jugore, Yoon Suk Yeol, tha në një intervistë të publikuar të hënën se vendi i tij dhe Shtetet e Bashkuara po bëjnë përpjekje për planifikim dhe trajnim të përbashkët që i përfshijnë asetet bërthamore të ShBA-së dhe se Shtetet e Bashkuara i janë përgjigjur pozitivisht kësaj ideje.
Kim Eun-hye, këshilltare për medie e presidentit të Koresë Jugore, lëshoi një deklaratë të martën, duke thënë se Seuli dhe Uashingtoni “janë duke i diskutuar shkëmbimin e inteligjencës, një planifikim të përbashkët dhe planet pasuese për ekzekutim të përbashkët rreth menaxhimit të aseteve bërthamore të ShBA-së si kundërpërgjigje ndaj (kërcënimeve) bërthamore të Koresë Veriore”.
Në intervistë, presidenti i Koresë Jugore tha se përderisa armët bërthamore amerikane u përkasin Shteteve të Bashkuara, planifikimi, shkëmbimi i inteligjencës dhe ushtrimet që i përfshijnë ato, duhet të kryhen bashkë me Korenë Jugore. Ai tha se është vështirë për të që ta sigurojë popullin e tij për një garanci të sigurisë me nivelet e tanishme të angazhimit të ShBA-së në fushën e sigurisë.
Koreja Jugore nuk ka armë bërthamore dhe është nën mbrojtjen e të ashtuquajturës “çadër bërthamore” të Shteteve të Bashkuara, e cila e garanton reagimin shkatërrues amerikan në rast të ndonjë sulmi ndaj ndonjë aleati. Megjithatë, disa ekspertë e kanë vënë në pikëpyetje efikasitetin e një angazhimi të tillë të sigurisë, duke thënë se vendimi për përdorimin e armëve bërthamore amerikane i përket presidentit të ShBA-së.
Zyra e presidentit të Koresë Jugore nuk ofroi shumë hollësi për diskutimet e qeverisë së tij me Shtetet e Bashkuara. Disa vëzhgues thonë se Koreja Jugore po mundohet që të sigurojë një rol më të madh në procesin e vendimmarrjes në Shtetet e Bashkuara për shpërndarjen e aseteve bërthamore në kohën e tensioneve me Korenë Veriore.
Vitin e kaluar, Koreja Veriore kreu numër rekord të testimeve të armëve, duke hedhur disa lloje të raketave balistike që do të mund të arrinin në territorin kryesor të Shteteve të Bashkuara, në Korenë Jugore e në Japoni. Në shtator, Koreja Veriore miratoi një ligj të ri, me të cilin autorizohet përdorimi paraprak i bombave në shumë raste, përfshirë skenarët jashtë luftës.

