Koreja Veriore e mbyll vitin me hedhjen e tri raketave balistike
Koreja Veriore ka hedhur tri raketa balistike me rreze të shkurtër veprimi drejt detit në lindje të Gadishullit Korean, ka thënë ushtria e Koresë Jugore.
Hedhja më e re e raketave ndodhi pesë ditë pas dërgimit të dronëve nga ky shtet në hapësirën ajrore të Koresë Jugore për herë të parë që nga viti 2017, shkruan BBC-ja, përcjell “Nacionale”.
Koreja Veriore ka hedhur këtë vit më shumë raketa se në cilindo vit më parë. Shtetet e Bashkuara thanë se hedhja e fundit e raketave nuk paraqet rrezik të menjëhershëm për Uashingtonin ose aleatët e tij.
Tri raketat balistike me rreze të shkurtër veprimi u hodhën rreth orës 8 të mëngjesit sipas kohës lokale në provincën e Hwanghae-s Veriore, në jug të kryeqytetit Piongiang, tha Shtabi i Përgjithshëm i Koresë Jugore.
“Hedhja e raketave balistike nga Koreja Veriore është provokim i rëndë që i minon paqen dhe stabilitetin në Gadishullin Korean si dhe në komunitetin ndërkombëtar”- thuhet në deklaratën e ushtrisë së vendit fqinj.
Ushtria e Koresë Jugore tha se raketat fluturuan në një largësi prej rreth 350 kilometrash. Roja bregdetare japoneze tha më herët se një raketë ka rënë në det.
Ushtria e Koresë Jugore këtë javë kërkoi falje, për shkak se dështoi që të rrëzonte pesë dronë që Koreja Veriore i ngriti në qiell mbi kufirin e tyre të përbashkët.
Këtë muaj, Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj aziatikë u vendosën sanksione tre zyrtarëve të lartë të Koresë Veriore që janë të lidhur me testimet e fundit të raketave.
Marrëdhëniet mes Koresë Veriore e Koresë Jugore janë përkeqësuar që nga ardhja në pushtet e qeverisë konservatore të presidentit Yoon Suk-yeol në Korenë Jugore në maj. Ai ka premtuar qëndrim më të ashpër ndaj fqinjit verior.
Koreja Veriore është bërë më kategorike gjatë pushtetit të Kim Jong-unit, i cili ka thënë rishtazi se dëshiron që vendi i tij ta ketë forcën më të madhe bërthamore në botë dhe e ka shpallur atë shtet “të pakthyeshëm” bërthamor.

